Tërmeti i 26 nëntorit zhyti gati 100 mijë njerëz në klasën e personave që vuajnë nga privimi i thellë material. Të dhënat janë bërë publike në raportin e vlerësimit të dëmeve të kryer nga grupi i përbashkët i punës mes ekspertëve të qeverisë shqiptare, Bankës Botërore, Komisionit Europian dhe Organizatës së Kombeve te Bashkuara.
Privimi i thellë material nënkupton kur një familje nuk përballon dot të paktën 4 nga 9 zëra shpenzimesh të konsideruara si jetike për një jetesës normale. Mes tyre bëjnë pjesë pagesa e qerasë, pagesa e faturave të dritave ujit apo shërbimeve të tjera publike, ngrohja e banesës, përballimi i një shpenzimi të papritur etj.
Sipas të dhënave të bëra publike në raport, përpara datës 26 nëntor në 7 bashkitë e dëmtuara më shumë nga tërmeti, numri i personave të privuar materialisht ishte 383 mijë. Por pas tërmetit, kjo kategori u shtua edhe me 100 mijë persona të tjerë duke arritur në mbi 480 mijë. Kjo për shkak të mbylljes së bizneseve, rritjes së papunësisë, shkatërrimit të pronës dhe humbjeve të tjera të të ardhurave që shkaktoi tërmeti.
Sipas raportit, paralelisht, dëmet e shkaktuara nga tërmeti kanë rritur nivelin e varfërisë subjektive me 26 mijë vetë ose 2.3 pikë përqindje krahasuar me vitin 2018.
Ekspertët e raportit theksojnë se pasojat ekonomike të tërmetit tek familjet me të ardhura të ulëta kanë qenë të mëdha dhe këto familje mund të zhyten më thellë në kthetrat e varfërisë nëse nuk mbështeten me politika sociale./TCH