Një burrë i armatosur ka vrarë 4 persona dhe ka lënë një të plagosur, në 5 vende të ndryshme në qytetin e Darwin, në Australi. Personi i dyshuar është një 45-vjeçar, i cili u arrestua një orë pas raportimeve të të shtënave të para.
Sipas policisë besohet se ai ka vepruar i vetëm pa ndihmën e ndonjë personi tjetër. Kryeministri Morrison ka reaguar, duke sqaruar se ngjarja nuk është e lidhur me terrorizmin.
Skenat e krimit ndodhën në hotelin Palms, në periferi të Woolner, ku dëshmtarë të ndryshëm okularë thanë se personi i armatosur hyri në hotel dhe hapi zjarr në disa nga dhomat dhe më pas u largua.
Një nga dëshmitarët, John Rose tha për ABC se ai kishte parë një person të armatosur duke ecur drejt një moteli me një armë të tipit shotgun.
“Ai qëlloi në të gjitha dhomat dhe pastaj shkoi në çdo dhomë duke kërkuar për dikë dhe qëlloi çdo njeri që gjeti, pastaj e pamë duke u larguar me nxitim, teksa hipi në makinën e tij Toyota dhe u largua”– tha një nga dëshmitarët.
Më shumë se 20 të shtëna janë dëgjuar ku si pasojë një grua mbeti e vdekur në këtë hotel. I dyshuari më pas ka shkuar në katër lokacione të tjera, përfshirë këtu bazën policore “Peter Macauley Center”, ku vrau edhe 3 persona të tjerë.
Një person u vra në Klubin Baff, një tjetër në “Gardens Hill Crescent” dhe personi i tretë u vra në rrugën “Jolly Street”.
Të shtënat masive në Australi janë një dukuri e rrallë, që pas kohës kur shteti Australian rishikoi ligjin e armëve në vitin 1996, pas disa të shtënash në Tasmania që lanë 35 persona të vdekur.