Në Qershor nisin testimet mbi njeriun në Belgjikë e Gjermani për vaksinën kundër koronavirus. Lajmi është bërë i ditur për mediat belge nga presidenti i Këshillit Mbikëqyrës së kompanisë gjermane, CureVac, Jean Stéphenne.
Ai ka thënë se në muajin Qershor, maksimumi në Korrik, do të nisin testet klinike tek adultë shëndetplotë të paprekur nga Covid-19. Më pas në fazën tjetër vaksina eksperimentale do të injektohet në persona që kanë qenë të ekspozuar ndaj virusit dhe së fundi do të aplikohet tek të moshuarit, që është edhe mosha më e rrezikuar.
Ndërkohë që sipas shkencëtarëve në Itali dhe kërkimeve të bëra deri më tani, është arritur në konkluzionin se trupit të njeriut i duhen mesatarisht 10 ditë për të zhvilluar antitrupat ndaj Covid-19, që nga momenti i infektimit.
Sipas tyre kjo përgjigje e organizmit është e njëjtë me përgjigjen imunitare të organizimit të njeriut edhe ndaj virusit Sars, antitrupat e të cilit dihet dhe është provuar tashmë, që qëndrojnë aktive deri në 6 vjet.