Një eksperiment për të luftuar përhapjen e infeksionit të koronavirusit në qytezën italiane Vò në rajonin e Venetos, aplikuar në fillimet e fenomenit, ka rezultuar në eliminimin e plotë të rasteve të reja, sipas Financial Times.
Punonjës të kujdesit shëndetësor testuan në mënyrë të përsëritur të 3,300 banorët e qytezës, pavarësisht nëse ata shfaqnin apo jo simptoma të sëmundjes. Nëse do të zbulohej se ndokush ishte pozitiv, ata do ta vendosnin atë dhe të gjithë ata me të cilët ishte në kontakt nën një karantinë të rreptë. Falë këtij regjimi, ata patën mundësi të ndalojnë përhapjen e sëmundjes, raporton Morning.
Andrea Crisanti, një specialist i infeksionit në Imperial College London dhe një pjesëmarrës në eksperimentin në Vò, u bën thirrje të gjitha vendeve vetkufizuese të testimit, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara, që të hedhin një vështrim në këtë qytezë italiane dhe të fillojnë të testojnë në tërësi qytetarët.
“Ka shumë të infektuar në Mbretërinë e Bashkuar që e injorojnë plotësisht atë”, i tha Crisanti për Financial Times. “Ne ishim në gjendje të frenonim përhapjen e infeksionit këtu duke gjetur të infektuar dhe izoluar ata. Kjo ishte e rëndësishme”.
Ky sukses nënvizon rëndësinë e testimit në masë, një skemë qe mbështetet dhe nga Organizata Botërore e Shëndetit.
Ndaj OBSH u bëri thirrje të gjitha vendeve që të bëjnë testimin në mënyrë agresive këtë javë, duke vënë në dukje se Koreja e Jugut dhe Tajvani kanë qenë në gjendje të frenojnë përhapjen e infeksionit në një farë mase po me këtë formë.
“Mesazhi ynë kryesor është: ‘test, test, test’”, tha shefi i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus të hënën.
Crisanti tha që ky eksperiment i lejoi shkencëtarët të krijojnë një “pamje epidemiologjike” të plotë të sëmundjes.
Testimi kolektiv filloi si masë pasi personi i parë vdiq nga Covid-19 më 22 shkurt në këtë qytezë.
Nga ana tjetër, nuk është e qartë pse numri i të infektuarve në veri të Italisë u rrit në mënyrë dramatike para se të ndodhte e njëjta gjë në pjesën tjetër të Evropës. Crisanti dhe të tjerë besojnë se kjo ndodhi sepse ajo pjesë e Italisë është e lidhur ngushtë me Kinën në aspektin ekonomik.
Raundi i parë i testimit i kryer në fund të shkurtit në Vò tregoi se tre përqind e popullsisë ishte e infektuar me koronavirus. Pas izolimit të të infektuarve, një raund i dytë i testimit, i kryer dhjetë ditë më vonë, tregoi se shkalla e infeksionit të popullsisë ishte ulur në 0.3 përqind.
Gjatë raundit të dytë të testimit, u identifikuan gjashtë persona të infektuar të cilët nuk kishin simptoma. Kjo do të thoshte që ato më pas mund të karantinohen.
“Nëse ne nuk do t’i njihnim, infeksioni do të vazhdonte të përhapet”, shpjegoi Crisanti.
Për dallim nga strategjia e gjerë e testimit e zbatuar në Vò dhe rekomandimet e drejtuesve të OBSH-së, vende të tilla si Mbretëria e Bashkuar dhe Hollanda kanë zgjedhur një strategji “imuniteti të masës” që përfshin lejimin e sëmundjes të përhapet në popullatë, në mënyrë që njerëzit të bëhen elastikë.
Dorit Nitzan, koordinator i urgjencës i OBSH për Evropën, argumenton se strategjia e “imunitetit të masës” nuk duhet të përdoret në rastin e koronavirusit, sepse shumë pak dihet për vetë virusin dhe është ende nën studim nga komuniteti shëndetësor.
Financial Times shprehet se strategjitë që vendet individuale përdorin për të luftuar koronavirusin vazhdimisht po ndryshojnë. Mbretëria e Bashkuar njoftoi këtë javë se do të rrisë mbulimin e testimit për të zvogëluar numrin e infeksioneve të reja që mund të çojnë në mbingarkesë të sistemit shëndetësor.
Ndërsa autoritetet në rajonin italian të Venetos duan të vazhdojnë testimin agresivisht të banorëve.
“Nëse dikush telefonon numrat tanë të veçantë të telefonit dhe thotë se është i sëmurë, të gjithë anëtarët e familjes së atij personi, të gjithë miqtë e tij dhe kushdo që jeton pranë atij personi do testohen”, tha Crisanti.
Luca Zaia, Presidenti i Venetos dhe iniciatori i projektit në Vò, mbështeti iniciativën e testimit agresiv.
“Një i infektuar pa simptoma mund të infektojë dhjetë njerëz”, kujton ai.