Vera që po afron pritet të sjellë një revolucion të vërtetë te Bayern Mynih, që po zhvillon një sezon mjaft problematik deri tani. Dhe kjo situatë, sipas ‘Bild’, ka bërë që plot 8 lojtarë të kërkojnë shitjen nga klubi në merkaton e verës.
Në këtë grup lojtarësh bëjnë pjesë disa emra të rëndësishëm. Ata që duan ta vazhdojnë karrierën me një klub tjetër janë Davies, për të cilin thuhet se ka një akord verbal me Real Madrid, Goretzka, Sane, Gnabry, Coman, Upamecano, De Light dhe Mazraoui. Vërtet shumë, por sigurisht që bavarezët nuk mund të privohen në të njëjtën kohë prej tyre.
Të gjithë lojtarët e përmendur më sipër kanë merkato. Përveç Davies, i destinuar të transferohet në Spanjë, edhe Sane, Coman e Gnabry janë në vëmendjen e klubeve më të mëdha europiane, siç është për shembull, PSG.
Fakti që kaq shumë lojtarë po kërkojnë largimin nga një emër i madh si Bayern Mynih tregon qartë se në çfarë pike ka shkuar aktualisht kjo skuadër. Përveç grupit të futbollistëve, bavarezët do të ndryshojnë edhe trajnerin për sezonin e ardhshëm. Tuchel do të largohet dhe drejtuesit e Bayernit vazhdojnë të këmbëngulin që vendin e tij ta zërë Xabi Alonso.