Tetë anëtarët e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Elida Kaçkini, Enkeleda Millonaj, Edvin Kondili, Behar Dibra, Arben Kraja, Klodian Braho, Ened Nakuçi dhe Altin Dumani, u betuan këtë të enjte në Presidencë.
Pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe leximit të vendimeve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe kryerjes së betimit, Presidenti Meta uroi prokurorët.
Në ceremoninë e betimit ishin të pranishëm edhe Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi, Avokati i Popullit Erinda Ballanca, Anëtarja e Gjykatës Kushtetues Vitore Tusha, Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor Naureda Llagami, Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi, Ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Europian, Luigi Soreca, përfaqësues të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të OPDAT-it, misionit EURALIUS V dhe anëtarët e KLP-së.
Reagon SHBA
Shtetet e Bashkuara përgëzuan tetë prokurorët, duke e quajtur këtë hap të rëndësishëm në themelimin e Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion dhe Krim i Organizuar (SPAK). “Nga dita e sotme, Shqipëria ka një organ prokurorësh të angazhuar për të identifikuar, hetuar dhe vënë përpara drejtësisë zyrtarë të kaluar apo aktualë dhe bosë të krimit – individë që në kohët e vjetra janë konsideruar si të paprekshëm”, thuhet në reagimin e Ambasadës së SHBA.
SPAK nis punën
Në këtë mënyrë SPAK nis punën zyrtarisht nga kjo e enjte. Megjithatë që të funksionojë normalisht, do të duhet të ketë të paktën 10 anëtarë.
Për anëtarët e tjerë, Anton Martini, Elisabeta Ymeraj, Anita Jella dhe Doloreza Musabelliu, emërimi ka mbetur pezull për shkak se nuk kanë kaluar ende të dyja shkallët e Vettingut.
Së shpejti Këshilli i Lartë i Prokurorisë duhet të zgjedhë edhe drejtuesin e SPAK, mes Altin Dumanit, Arben Krajës dhe Edvin Kondilit. Struktura e Posaçme Antikorrupsion do të hetojë dhe çojë në gjykatë dosjet e korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe krimet e kryera nga zyrtarë dhe ish-zyrtarë të nivelit të lartë.
Prokurorët e posaçëm do t’i nënshtrohen monitorimit të vazhdueshëm të financave dhe të telefonave të tyre për të parandaluar korruptimin apo kanosjen e tyre. SPAK bazohet në modele që janë përdorur edhe në vende të tjera si Kroacia apo Rumania.