Me rastin e Tetorit rozë, kreu i PD-së Sali Berisha ka zhvilluar një takim me gratë e Lidhjes Demokratike të Gruas në Elbasan. Duke e vënë theksin te parandalimi, kreu i selisë blu shigjetoi kryeministrin Rama për instalacionin 4 milionë euro që do të vendosë para kryeministrisë, ndërkohë që me këto para, mund të siguronte vendosjen e mamografisë në të gjitha qytetet.
“Po lexoja një material, çfarë tregonte për parandalimin. Në strategjinë kombëtare të luftës kundër kancerit, ishin siguruar gjithsej 6% të financimit. A ka një injorim më të madh se kjo. Në një kohë kur, shpërdorimet në shpenzime të tjera janë të tmerrshme. Blihet instalimi 4 mln euro për ta vendosur në oborr. Me 4 mln euro mund të blesh mamografi në të gjithë qytetet e vendit”.
Për Berishën “rruga më e mirë është parandalimi dhe pas saj kapja sa më e hershme. Një vetëdije për të dy këto faza është përcaktuese në rezultatin dhe shmangien e tij dhe mjekimin me sukses të formave të tij. Është më komplekse gjeneza e kësaj sëmundje, janë një seri faktorësh”.
Sipas tij, Tirana renditet ndër 10 qytete më të ndotura në botë dhe uk garanton aspak mjekimin koherent të sëmundjeve
“Tirana rezulton në 10 qytetet më të ndotura të botës. Nga 255 qytete, Tirana renditet e 245 dhe rezulton për fatin më të keq, po në dhjetëshen e qyteteve me shërbimin shëndetësor më të keq. Kjo do të thotë se risqet në këtë terren janë shumë më të mëdha. Dëmet e tyre bëhen shumë më të mëdha. Një qytet që renditet i 10-ti në botë ndër më të ndoturat, nuk garanton aspak mjekimin koherent të sëmundjeve sot. Është një proces serioz sëmundja dhe kërkon një qëndrim serioz. Nuk mund të ketë qëndrime të dystuara, nuk mund të mungojë ilaçi sot sepse humbet kohën e dominimit të qelizave”.