Kosova Thaçi fton Putin në Prishtinë: Gati të vendosim marrëdhënie me Moskën

Thaçi fton Putin në Prishtinë: Gati të vendosim marrëdhënie me Moskën

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka ftuar presidentin rus Vladimir Putin që të vizitojë Prishtinën.

Në një intervistë për agjencinë ruse të lajmeve “RIA Novosti”, Thaçi ka deklaruar se Kosova nuk e sheh Rusinë si armike, ndaj dhe një vizitë eventuale e Putin do të ishte e mirëpritur.

“E ftoj të vijë në Kosovë. Është me rëndësi që ne të krijojmë një marrëdhënie të mirë dhe të vendosim një lidhje”, ka deklaruar Thaçi.

Ai ka theksuar se, pas marrëveshjes me Serbinë, që do ta bëjë Kosovën anëtare të OKB-së, Prishtina zyrtare do të jetë e hapur për të përcaktuar fushat e bashkëpunimit me Rusinë.

I pyetur për vazhdimin e dialogut me Serbinë, Thaçi është përgjigjur se procesi duhet të zhvillohet pa kushte nga të dyja palët dhe ka paralajmëruar se raundi i ri mund të mbahet në javët e ardhshme. Presidenti kosovar ka thënë se Serbia nuk duhet të kërkojë shfuqizimin e taksës si kusht për vazhdimin e negociatave.

Sa i takon përfshirjes së mundshme të Rusisë në bisedime, Thaçi ka nënvizuar se aktualisht roli i udhëheqësit në këtë proces i takon BE-së dhe ka shprehur bindjen se kështu do të jetë edhe në të ardhmen. Megjithatë, ai ka deklaruar se ka mbetur i frymëzuar nga takimi direkt që kishte pasur me presidentin Putin në Paris.

“Presidenti Putin tha se, nëse Kosova dhe Serbia arrijnë një marrëveshje në rrugë paqësore dhe përmes dialogut, ai do ta pranojë dhe do ta mbështesë atë. Ky është një hap i ri dhe pozitiv”, ka shtuar Thaçi.