Netflix qëndron pas dokumentarëve më të mirë të viteve të fundit, por prodhimi që i ka bërë të gjithë të flasin për të është “The Social Dilemma”.
Dokumentari i Jeff Orlowski “The Social Dilemma” tenton të tregojë se si gjigandët e teknologjisë kanë manipuluar psikologjinë e njerëzve për të ndikuar në mënyrën se si ne veprojmë. Dhe nëse mendoni se kjo duket shumë tmerruese, keni të drejtë.
Sipas “The Social Media” manipulimi i sjelljes njerëzore për përfitime është koduar në këto kompani me saktësi makiaveliane. Njoftimet e vazhdueshme dhe lundrimi i pafund nëpër rrjete sociale i mban përdoruesit të angazhuar, rekomandimet e personalizuara përdorin të dhënat jo vetëm për të parashikuar, por edhe për të ndikuar veprimet tona, duke i kthyer njerëzit në pre të lehta për reklamuesit dhe propagandistët.
Dokumentari përfshin disa intervista të gjata me ish-ekspertë të teknologjisë të kompanive më të mëdha. Tristan Harris, një ish-etikist i deizajnit të Google, tregon metodat që përdorin platformat gjigande për të na mbajtur ne të angazhuar nëpër rrjete sociale dhe internet. “Njerëzit mendojnë se Google është thjeshtë një kuti kërkimi dhe Facebook një vend për të parë fotot e miqve dhe se çfarë po bëjnë ata. Ajo që nuk kuptojnë është se ata konkurrojnë për vëmendjen tuaj. Rrjetet sociale nuk janë thjesht mjete që presin të përdoren. Ato kanë qëllimet e tyre dhe kanë mënyrat e tyre për t’i arritur duke përdorur psikologjinë tuaj kundër jush”, shprehet Harris në dokumentar.
Regjisori i “The Social Media” shprehet se duke punuar për dokumentarin mësoi dhe vetë disa të vërteta të fshehta, se si këto platforma bëjnë para.
“Si ka mundësi që Facebook dhe Google kushtojnë kaq shumë? Nëse ju nuk paguani për produktet e tyre, atëherë ju jeni produkti. Ata bëjnë para nga ky model reklamues manipulues që askush nuk e kupton. Në kuptimin e vërtetë të fjalës ka nga një model të secilit prej nesh që testohet gjatë gjithë kohës, që ata të kuptojnë se çfarë u sjell para dhe tek kush mund të na shesin ne. Kjo ishte një shpullë e vërtetë në fytyrë për mua”, thotë Orlowski, regjisori i dokumentarit.
Ai e bën të qartë se nuk ka një zgjidhje të shpejtë për këtë çështje, por shpreson se duke kuptuar mënyrën se si manipulohemi do të çojë drejt një teknologjie më etike. Të gjithë të intervistuarit në dokumentar ofrojnë të njëjtat këshilla për mënyrën se si mund të reduktojmë varësinë tonë nga rrjetet sociale dhe interneti. Ata sugjerojnë që t’ju bëni “turn off” të gjitha njoftimeve në celular, të mos klikoni kurrë në përmbajtjet që ju rekomandohen dhe gjithmonë të bëni një kontroll të shpejtë para se të shpërndani diçka. Të gjithë bien dakord që celularët mos t’ju lihen fëmijëve në duar, ose të paktën të limitoni përdorimin e tyre.
Jaron Lanier, shkrimtar dhe shkencëtar kompjuteri shkon më tej duke thënë: “Hiqni dorë nga sistemi! Po, fshijeni! Hiqni dorë nga këto gjëra idiote. Bota është e bukur. Jashtë është një mrekulli”.