Audiot e botuara nga gazeta spanjolle “El Confidencial”, me protagonist presidentin aktual të Real Madrid, kanë shkaktuar tërmet në Spanjë. Në këto biseda private, Florentino Perez flet me terma negativë për Cristiano Ronaldon, Mourinhon, Casillas, Raul dhe shumë të tjerë.
Reagimi i presidentit të “Los Blancos” është shumë i ashpër. Përmes profilit të klubit në Twiter, Perez është hedhur në kundërsulm duke deklaruar se gazetari Jose Antonio Abellan në vitin 2011 ka shantazhuar zëvendëspresidentin Eduardo Fernádez de Blas, duke i kërkuar atij 10 milionë euro në këmbim të “zhdukjes” së këtyre audiove të regjistruara në mënyrë të paligjshme dhe më pas të manipuluara.
“Unë po them se Antonio Abellán e ka shantazhuar Real Madridin duke kërkuar 10 milionë euro në këmbim të eliminimit të regjistrimeve të Florentino Pérez, të cilat kanë dalë në dritë këto ditë përmes ‘El Confidencial”, tha gazetari Carlos Bustillo në “El Transistor” të “Ondacero”.
Ai shpjegoi se gazetari pretendoi të merrte atë shumë parash, më konkretisht nga Eduardo Fernández de Blas, zv.presidenti i Real Madridit: “Takimi ku u bë ajo ofertë u zhvillua në restorant ‘Combarro’ në Madrid. Real Madridi nuk e pranoi shantazhin”.
Florentino Pérez, siç raportoi “MARCA”, do të padisë José Antonio Abellán dhe “El Confidencial” në mbrojtje të nderit, privatësisë dhe imazhit pas audiove që kanë dalë në dritë ditët e fundit.
Pjesa e fundit doli në dritë këtë të enjte, 15 korrik, në të cilën Florentino Pérez akuzonte disa media.
Ditët e mëparshme, Casillas, Raúl, Cristiano Ronaldo, Mourinho dhe Del Bosque ishin “yjet” e audiove të tjera, ku baltoseshin keq nga presidenti i “Los Blancos”. Ky i fundit e ka quajtur këtë një hakmarrje të orkestruar ndaj tij si themelues i Superligës Europiane, teksa gjykatat civile ia kanë “lidhur duart” UEFA-s për t’i penalizuar “disidentët” e mbetur mbas projektit në fjalë: Real Madridi, Barcelona dhe Juventus.