Një filozofi, fe dhe institucion i ngritur mbi ato, që të rezistojnë përballë sfidave të kohës, kundërshtimeve dhe përndjekjeve kundër saj, duhet të ketë një themel të fortë. Krishtërimi që filloi të përhapej në të gjithë Perandorinë Romake në viteve 33 ps.Kr. u duk në fillim thjesht një sekt dhe herezi e fesë judaike, që do përfundonte shumë shpejt në koshin e historisë, por në të vërtetë nuk ishte kështu dhe këto 21 shekuj vërtetuan të kundërtën. Krishtërimi ishte dhe është një besim i ri, që iu paraqitet mbarë njerëzimit në çdo kohë, pa dallim klase, race dhe gjinie. Në thelb krishtërimi nuk është një fe, por besim në atë që bëri Perëndia me anë të Fjalës, Birit të Tij, të cilin e bëri Bir-Njeriu, Jisu Krishtin, që të shpëtoj njeriun, judeun,grekun(kombet),barbarin(fiset), jo me anë të veprave të tyre, por me anë të Hirit mëshirues; “Sepse aq shumë e deshi Zotin botën sa dha Birin e Tij, që kushdo të besojë tek ai, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme. Sepse Perëndia nuk e dërgoi Birin e tij që të dënojë botën por bota të shpëtohet me anë të tij”. (Jn. 3:16-17)
Zoti Jisu Krisht mbasi mundi dy armiqtë më të mëdhenj të njeriut, me anë të kryqit, djallin, që ka fuqinë tek mëkati dhe vdekjen me vdekjen dhe ngjalljen e tij të lavdëruar, shfaqet tek nxënësit e tij dhe iu thotë: “Më është dhënë çdo pushtet në qiell dhe në tokë, shkoni pra dhe bëni dishepuj të gjithë kombet duke i pagëzuar në emër të Atit e të Birit e të Shpirtit të Shenjtë duke i mësuar të mbajnë sa ju kam urdhëruar” (Math. 28:18-20).
Libri historik i Dhjatës së Re “Veprat e Apostujve” na tregojnë me detaje udhëtimet e nxënësve të Krishtit, në fillim ne Jude, Samari dhe mbas vrasjes të Stefanit, dhjakonit dhe dëshmorit të parë të Kishës në vitin 34 ps. Kr. që shënon fillimin e përndjekjes kundër të krishterëve, nxënësit u përhapen në të gjithë Perandorinë Romake dhe përtej asaj në të gjithë skajet e botës, duke filluar nga Aleksandria e Egjiptit, Etiopia,Siria në Azinë e vogël, Akaia, Peleponez, Traka dhe Samothraka, Maqedonia e shek I. Mbas këtyre vendeve krishtërimi u përhap në vende të tjera të Europës Perëndimore, Italia, Galia(Franca), Spanja.
Në Iliri e cila bënte pjesë në zonën e madhe të Maqedonisë Rromake,apostujt e Krishtit erdhën nga Via (udha) Egnatia. Kjo rrugë mbetjet e të cilës janë edhe sot në territorin shqiptar, ishte një projekt infrastrukturor që filloi nga gjysma e dytë e shek. II pr.Kr. Me një gjatësi që ishte 264 milje romake (3907 km), ajo lidhte Azinë me Europën dhe dy brigje të Egjeut dhe të Adriatikut duke përfunduar në qytetin e lashtë Dyrrahun, (Durrësi). Nga kjo rrugë duket erdhi edhe në Iliri për të predikuar ungjillin e Krishtit apostulli i madh i kombeve Pavli, së bashku me bashkëpunëtorët e tij. Këtë fakt ai na e përmend në letrën drejtuar romakëve: “nga Jerusalemi deri në Iliri unë kam përhapur ungjillin e Krishtit.”.(Romakëve 15 :19 )
Apostull Pavli kolosi i krishtërimit, duke u quajtur goja e Krishtit, u lind prej prindërve judenj të shquar dhe shpresëtarë në Tars të Kilikisë, në Juglindje të Azisë së vogël. Në lidhje me origjinën e tij ai shprehet, “u rrethpreva të tetën ditë, jam nga kombi i Izraelit, nga fisi i Beniaminit, hebre nga hebrenjtë dhe sipas ligjit farise” (Filip. 3:5). Emri i tij ishte Saul, ose Savlos që hebraisht do të thotë “i kërkuar nga Perëndia”, por u bë i njohur në Perandorinë Romake me emrin latin Pauli, që do të thotë “i vogël” sepse ai thoshte ” Sepse unë jam më i vogli i apostujve dhe as nuk jam i denjë të quhem apostull, sepse e kam përndjekur kishën e Perëndisë.”(1Kor 15:9)
Në fillim nuk ishte në rethin e apostujve të zgjedhur nga Krishti, por ishte një fanatik në fenë judaike dhe persekutonte pa mëshirë të krishterët. Ai mori pjesë në vrasjen e kryedhjakonit Shën Stefanit duke mbajtur robat e atyre që e vrisnin atë me gurë. Madje ai kërkonte autorizim nga sinedri që të përndiqte të krishterët jashtë kufijve të Palestinës; “Sauli po shkatërronte Kishën, hynte shtëpi më shtëpi, merrte me vete burra dhe gra dhe i fuste në burg”.(Vep 9- 2)
Kthimin e Saulit në të krishterë na e tregon libri Veprat e Apostujve: “Por ndodhi ndërsa po udhëtonte dhe po i afrohej Damaskut, befas rreth tij vetëtiu një dritë nga qielli. Dhe si u rrëzua përtokë dëgjoi një zë që i thoshte: “Saul, Saul përse më përndjek? Dhe ai tha: Kush je Zot? Dhe Zoti tha: Unë jam Jisui që ti e përndjek, është e rëndë për ty të godasësh me shkelma kundër gjembave. Dhe ai duke u dridhur dhe i shtangur tha: “Zot çfarë do Ti të bëj unë”? Dhe Zoti i tha atij, “çohu dhe hyj në qytet dhe do të thuhet çfarë duhet të bësh” – Krishti i shfaqet një dishepulli në Damask Ananija dhe e urdhëroi ta pagëzoj Saulin e verbuar dhe të penduar; “Shko sepse ai është vegla që unë kam zgjedhur për të mbajtur emrin tim përpara kombeve dhe mbretërve dhe bijëve të Izraelit. Sepse duhet t’i tregoj atij, se sa shumë i duhet te vuaje për emrin tim. Atëherë Anania shkoi dhe hyri në atë shtëpi dhe duke i vënë duart mbi të tha: “Saul vëlla – Zoti më dërgoi, Jisui që të është shfaqur në rrugën kur ishe duke ardhur që të shikosh përsëri dhe të mbushesh më Frymën e Shenjtë. Dhe menjëherë i ranë nga sytë si luspa dhe menjëherë erdhi drita e syve dhe si u ngrit u pagëzua”. (Vep 9: 4-5 15-17 ).
Apostull Pavli e mori parësinë e apostullimit për shkak të mundimeve të tij të shumta, sepse gjithmonë brenda shpirtit të tij ishte një dhimbje e vazhdueshme se ai e kishte persekutuar Kishën dhe kjo akuzë që ai i bënte vetes ia shtonte zellin por edhe përulësinë; “Por me hirin e Perëndisë jam ai që jam; dhe hiri i tij ndaj meje nuk qe i kotë, madje jam munduar më shumë se gjithë të tjerët, jo unë, por hiri i Perëndisë që është me mua.”(I Korintasve 15 -10)
Ai bëri katër udhëtime apostolike duke përshkuar gjithë Mesdheun edhe veçanërisht edhe në zonën ku banonin paraardhësit tanë në viset e arbërit, që Ptolemeu (100 -168 pr K)i quan “albanë”. Në letrën I drejtuar Korintasve thotë: “Po do të vi tek ju pasi të kem kaluar në Maqedoni”. (1Kor 16:5) Maqedonia romake përfshinte jo vetëm Antipus(Shkupi) por dhe qëndra të tjera si Dyrrahun,(Durësin) Lisius (Lezha),Scodra (Shkodrën) dhe qëndra të tjera të rëndësishme të banuara nga albanë,arbër.
Apostujt në fillim mësimet e tyre i kryenin nëpër sinagogat e diasporës ebre të shpërndarë në të gjithë diasporën romake dhe në zonën e Ilirisë. Gjetjet arkeologjike e vërtëtojnë këtë fakt si psh. sinagoga në Orikum që si toponim mund të vijë nga emri i qytetit të Izraelit Jeriko. Gjatë udhëtimit nëpër Iliri nga një degëzim i rrugës Egnatia në stacionin romak Claudiana, apostull Pavli kaloj nga Apollonia e Iliris. “Dhe pasi kishim kaluar në Amfipoli e në për Apoloni aritëm në Selanik”.(Veprat 17:1) Në Apolloni ai dorëzoj episkopin e qytetit Marinin një nga shtatëdhjet dishepujt e Krishti.Apostull Pavli ka kaluar një dimër në Nikopojë ashtu siç na e tregon në letrën dërguar bashkpuntorit të tij Titit “kur të dërgoj Artemin ose Titikun bëj çs për të ardhur tek unë në Nikopojë sepse vendosa të dimëroj aty”.(Titi 3:12) Nikopoja ndodhej aty ku është Preveza e sotme një nga qytetet kryesore të Epirit dhe lidhej me udhën Egnatia nëpërmjet një degëzimi që kalonte nëpër Butrint.Po ashtu apostull Pavlin e gjejmë duke vepruar në Dalmaci sëbashku me bashkëpuntorët e tij.
Në traditën e krishterë besohet fort se apostull Pavli mbërriti deri në Dyrrahun, (Durrësin) dhe prej andej ka kaluar në Romë në udhëtimin e tij të katërt. Në shek.I në vitin 58 ps.Kr. Durrësi ka pasur një komunitet të përbërë nga disa familje të krishtera të cilët formonin Kishën e Apostolike në këtë qytet të lashtë. Apostull Pavli nga Kisha Orthodhokse nderohet si ndriçues i Durrësit, ketë e thotë shumë qartë përlëshorja e shenjtorit: “ Predikues të kombeve dhe ndriçues të madh, mësues të Durrësit, mburrje të botës, me gëzim të quajmë. Nderojmë përpjekjet dhe mundimet për Krishtin, martirizimin tënd të çmuar. O Shën Pavël, apostull, ndërmjeto përpara Krishtit Perëndi të shpëtohen shpirtet tona.”
Sipas Farlatit në veprën e ti “Illyrikum Sakrum” Peshkopi i parë i Durrësit i vendosur nga Pavli, njihet Shën Qesari apostull nga të 70, bashkëpunëtor i apostull Pavlit, ky fakt ndodhet edhe në një dorëshkrim të vjetër në biblotekën e Kishës së Jeruzalemit.Apostull Pavli e përmend në letrën drejtuar Filipianëve ku thotë;“përshëndet gjithë shenjtët (krishterët)sidomos ata të shtëpisë së Qesarit.”(Filipianëve 4:22) Studiusit shprehjen “të shtëpisë së Qesarit “ e shikojnë si nënkuptim i bashkësisë së Durrësit që në atë kohë kishte rreth 70 familje të krishtera. Qesari më vonë u fronëzua episkop i Koronës në Peloponez duke dorëzuar si episkopin e Durrësit Astin, i cili u martirizua i varur në muret e qytetit mbi një pemë dhe ja lyen trupin me mjalt duke e lënë në diell që të vdiste nga thumbimi i dhimbshëm i insekteve, në 6 korrik në vitin 116 ps.Kr. nga sundimtari i vendit Agrikola, Më vonë mbi varin e tij u ngrit një Kishë e madhe katedrale dhe ai u shpall bashkë me Shën Pavlin shenjti mbrojtës i Durrësit ashtu si e thot përlëshorja e tij; “Duke marrë vendim shum’ të fort’ o i urtë, i armatosur me shpirt të hekurt’, o bariu i Durrësit, o Shën Asti i gjith’ lavdëruar. E shkele me të vërtetë egërsimin e Agrikolës dhe me gëzim pranove që të kryqëzoheshe mbi dru, dhe prandaj e more dhe shpërblimin e mundjes”. Për nderin dhe kujtimin e këtyre shenjtorëve ndriçues dhe mbrojtës të Durrësit, me bekimin e Fortlumturisë së tij Kryepiskopit Anastas, është ndërtuar dhe shenjtëruar (2 Maj 2009) Kisha katedrale e qytetit .
Mbas dy peshkopëve të parë hirotonisen (dorzohen) peshkop të tjerë të Durrësit por edhe në të tjera episkopata që u ngritën në gjithë teritorin ku ecën këmbët e bukura të apostujve, të cilët morën pjesë aktive në jetën dhe problemet e Kishës Apostolike ku diskutoheshin me vendim-marje, në Sinodet Ekumenike, si Shën Donati i Evrisë, afër Paramithisë të Epirit,mori pjesë në Sinodin e II Ekumenik në Kostandinopojë në vitin 381, episkopi si Ehuari i Durrësit që përmëndet në sinodin e III ekumenik të Efesit në vitin 431, episkopi Luka i Durrësit pjesmarës në sinodin IV Ekumenik Kalqedoni i vitit 451etj. Kjo tregon jo vetëm vashdimësinë e hirit apostolik, por dhe se Kisha në teritorin Ilir kishte themel të fort apostolik.
Një tjetër e vërtetë me karakter gojëdhëne është se apostull Pavli u nis për në Romë nga vendi që sot quhet Bishti i Pallës në veri të qytetit të Durrësit, sipas studiuesve të huaj dhe vendas ky emër i transformuar nga koha dhe vjen nga emri i apostull Pavlit. Në hartat e venecianëve të shek XVII ky kep është shënuar “Capo di Paolo” si “Kepi i Pavlit”, madje aty janë gjetur edhe rrënojat e një kishe të vjetër.Por me emrin e apostull Pavlit lidhen dhe shumë vënde të tjera në teritorin e Shqipërisë. Në gurin e qytetit të Përmetit tradita thotë se në atë vend ka predikuar apostull Pavli madje në maj të gurit kanë qenë edhe rrënojat e një kishe të vogël ku vendasit kremtonin në ditën e shenjtorit, ose toponimi i zonës së shën Palit në malin e Dajtit etj. Në territorin e Shqipërisë nga veriu në jug ka shumë kisha,vende dedikuar këtij apostulli të madh dhe të gjitha festojnë si ato të ritit orthodhoks në Jug dhe ato të ritit katolik në Veri në datën 29 të Qershorit dita e martirizimit të tij bashkë me apostull Petron.
Apostull Pavli mbasi mbaroi detyrën apostolike shkruan: “Sa për mua po derdhem si oferte pije, dhe koha e nisjes sime arriti, luftën e mirë e luftova, vrapimin e përfundova, e ruajta besimin. Pas kësaj më pret gati kurora e drejtësisë që Perëndia gjykatësi i drejtë do të më japë atë ditë dhe jo vetëm mua por të gjithë atyre që presin me dashuri të shfaqurit e tij”. (2 Tim 4:6-8) Sipas traditës së vjetër të dy të parët e apostujve Pjetri dhe Pavli, ndodheshin në Romë rreth viteve 67 ps.Kr, kur Neroni ky perandor famëkeq dhe antikrisht i bëri fajtorë të krishterët për djegien e Romës, së cilës ai vetë i vuri flakën, që të përmendej në histori dhe të lironte territor për të ndërtuar pallatet e tij. Të dy arrestohen nga pushteti romak dhe dënohen me vdekje. Një traditë thotë që të dy apostujt u takuan dhe u përqafuan përpara martirizimit. Apostull Petro u dënua me kryqëzim, ashtu si Zoti ia kishte parathënë: “Me të vërtetë, me të vërtetë po të them: Kur ishe më i ri, ngjishje veten tënde dhe ecje ku të doje, por kur të plakesh do të shtrish duart e tua dhe një tjetër njeri do të të ngjeshë ty dhe do të të shpjerë aty ku ti të mos duash. Dhe e tha këtë duke shënuar me çfarë vdekje kishte për të lavdëruar Perëndinë”. (Joani 21:18-19) Apostull Pjetri nuk pranoi të kryqëzohej me kokë lart, por kërkoi të kryqëzohej me kokë poshtë duke thënë: “Unë nuk jam i denjë të kryqëzohem si Mësuesi im, ai u kryqëzua me kokë lart që të më shikojë mua poshtë në ferr dhe të më shpëtojë kurse unë do kryqëzohem me kokë poshtë që të shikoj nga poshtë lavdinë e tij”. Kryqëzimi i apostull Petros u krye mbi kodrën e Vatikanit, më vonë aty nga Kostandini i Madh u ndërtua një Kishë bazilik për nder të apostullit.
Apostull Pavli meqënëse ishte shtetas romak dhe nuk lejohej tortura mbi atë, ia prenë kokën në një rrugë të Romës, Tri krojet në rrugën Ostiense. Kur krishterimi u njoh nga shteti romak, Kostandini i Madh ngriti varrin e apostull Pavlit, ku është shkruar “APOSTUL PAUL MARTIR”. Të dy lipsanet e protokorifejve gjenden në katakombet e Vatikanit dhe janë mbrojtës të Kishës së Krishtit dhe të popullit të Perëndisë në të gjithë botën. Kisha Orthodhokse në këtë ditë këndon: “O parafronës të apostujve dhe mësonjës të tërë botës, ndërmjetoni pranë Zotit të gjithësisë, t’i dhurojë paqe botës dhe shpirtrave tona përdëllimin e madh”.
Krishtërizimi apostolik në Shqipëri që në shekullin e parë ndihmoj që niveli kulturor i popullatës të çlirohej nga kotësia,urejtja, ndasia dhe degjenerimi pagan, krijoj identitetin dhe njësimin e tyre brenda vetes dhe në raport me popuj të tjerë europian të cilët përqafuan mësimin apostolik dhe kështu shpëtuan nga asimilimi për shkak të dyndjeve barbare gjatë shekujve, siç ndodhi me popuj të tjerë politeist që i qëndruan kundra krishtërimit, ata u përpinë u asimiluan dhe asnjë prej tyre nuk formoi dot kombësi, duke u kujtuar vetëm si emra në historinë e popujve.
Mbarë krishtërimi i është mirënjohës këtyre dy apostujve dhe gjithë apostujve, sepse ata hodhën themelet e Kishës apostolike,por në mënyrë të veçantë ne pasardhës të ilirëve, albanëve, arbërve, epiriotëve i jemi mirënjohës apostull Pavlit sepse ai si arkitekti i madh hodhi themelet e Kishës Apostolike në Shqipëri ,si ai vetë shkruan; “Sipas hirit të Perëndisë që më është dhënë, si arkitekt i ditur, unë kam hedhur themelin dhe një tjetër ndërton mbi të; por secili të ketë kujdes se si ndërton mbi të,sepse askush nuk mund të hedhë themel tjetër përveç atij që është hedhur, i cili është Jisu Krishti.”(1Kor 3:10-11)
*Përgjegjës i Zyrës Katekizmit KOASH.