Pas bashkimit të dy nga tre grupimet e Partisë Demokratike, opozita zyrtarizoi këtë të premte dhe bashkimin e të gjitha forcave të saj në një Konfederatë.
Qëllimi i bashkimit të forcave opozitare një vit përpara zgjedhjeve, ka qëllim kryesor largimin e mazhorancës së Edi Ramës, që e shohin përgjegjës jo vetëm për rrënimin e vendit, por dhe copëtimin e vetë opozitës. Dhe strategjia do të nisë me protestën e 20 Shkurtit përpara Kryeministrisë.
Qëndrimi që do të mbajë opozita në parlament është çështje që kërkon zgjidhje sipas njërit prej nismëtarëve të Konfederatës së Opozitës, Fatmir Mediut.
“Ka të bëjë me kushtetutshmërinë e parlamentit. Kemi menduar që një grup ekspertësh të marrë mendime të shprehura nga kjo tryezë, por edhe jashtë për t’i rikthyer në një qëndrim politik të përbashkët.”
Ndërsa prioritet mbi prioritete janë amendimet në Kodin Zgjedhor, që do t’ju mundësojnë një garë të ndershme. Më shumë sesa ndryshim të sistemit, ata kërkojnë të implementohen detyrimet që i dikton Gjykata Kushtetuese.
Nuk e mori fjalën në tryezë, por pas takimit, Gazmend Bardhi e vlerësoi si një ditë të mirë për opozitën pasi përçarja e saj ishte sipas tij, dhurata më e madhe për Edi Ramën. Ai nuk përjashton mundësinë e asnjë opozitari për t’ju bashkuar Konfederatës, as dhe vetë Lulzim Bashën.
“Cilido që ndjehet në opozitë, e vetmja rrugë për t’u forcuar është të bëhemi bashkë, në diversitet dhe të bashkuar rreth ideve.”
Përjashtimin nga axhenda e takimeve të Sekretarit amerikan të Shtetit të përfaqësuesve të opozitës, Bardhi nuk e komenton, por e rëndësishme sipas tij është aleanca mes opozitës dhe SHBA mbetet e paprekur.