Aktori dhe regjisori Edmond Budina i është bashkuar sot protestës për mbrojtjen e godinës së Teatrit Kombëtar. Nga brenda sallës së teatrit, Budina i ka bërë thirrje qytetarëve që të ndihmojnë artistët në mbrojtjen e kulturës shqiptare.
“Të gjithë këta aktorë kanë lënë shpirtin e tyre, unë e ndjej pulsin e tyre. Është kjo që më bën të mbroj këtë vend. Nuk është patetike, është shpirtërore, është vlerë e jona. Ata duan vetëm të mbushin xhepat, nuk kanë shpirt. Ne po ruajmë teatrin nga vjedhja e oligarkëve, nuk e di kush janë sepse nuk më intereson. Ju lutem të gjithë bashkë që të jemi në mbrojtje të kulturës shqiptare”, u shpreh aktori.
Budina theksoi se “ata që duan të shkatërrojnë këtë teatër kanë vetëm interesa.”
“Të lutem mos e shkatërroni këtë teatër. Çdo njeri që ka marrë pjesë në këtë sallë për mendimin tim është një hero. Jam këtu si qytetar, prandaj i vlerësoj të gjithë qytetarët dhe jo vetëm artistët”, tha ai.
Edmond Budina lëshoi edhe akuza të forta në drejtim të Qeverisë së drejtuar nga kryeministri Edi Rama.
“I them faleminderit opozitës që na mbështeti në këtë aksion. Tani ne duhet ta shembim diktaturën fashiste që ka pushtuar vendin. Opozita duhet të jetë në krye të kësaj lëvizje dhe ne duhet ta çlirojmë vendin nga kjo bandë kriminele”, u shpreh aktori.
Pas dy ore protestë, aktivistët për mbrojtjen e teatrit arritën që të futen brenda në godinë. I pranishëm ishte edhe kryeopozitari Lulzim Basha.