Kompania norvegjeze e prodhimit të anijeve, Ulstein, duket se është një hap më pranë ndërtimit të mjeteve lundruese të së ardhmes.
Anija e re e projektuar prej saj, është quajtur Thor – sipas perëndisë vikinge të vetëtimave dhe elementit radioaktiv torium – që do të furnizojë me energji reaktorin e saj bërthamor.
Sipas projektit, mjeti lundrues 152 metra i gjatë, nuk do të ketë nevojë kurrë për t’u furnizuar me karburant dhe do të arrijë të krijojë vetë të gjithë energjinë elektrike që duhet për të funksionuar. Madje, do të ketë energji të mjaftueshme edhe për të mbajtur në lëvizje anijen shoqëruese, të quajtur Sif – sipas një tjetër perëndie vikinge, që ishte edhe bashkëshortja e Thor.
Thor do të përdorë një reaktor bërthamor të testuar fillimisht në vitet 1960, që përdor edhe kripëra në gjendje të lëngshme si karburant. Sipas shkencëtarëve kjo do të jetë një mënyrë shumë më ekologjike lundrimi, por edhe shumë më e sigurt.
Edhe pse është anija kryesore, Thor ka një kapacitet prej 60 pasagjerësh, ndërsa Sif, mund të mbajë 80 pasagjerë dhe 80 personel.
Të dy anijet kanë një kiç të pazakontë, të quajtur kiçi X, i cili përdoret në rreth 100 anije në të gjithë botën. Sipas kompanisë Ulstein, ky kiç e bën anijen më të qëndrueshme, duke sjellë edhe ulje të konsumit të energjisë, përveç se e bën më të sigurt udhëtimin, pavarësisht dallgëve që përplasen mbi të.
Aftësia e Thor për të prodhuar energjinë elektrike i jep mundësinë anijes të shërbejë edhe si central energjetik për qytete portuale apo zona të tjera në rast fatkeqësish natyrore. Anija gjithashtu ka dronë dhe pista për uljen e helikopterëve, që mund të jetë e nevojshme në rast operacionesh kërkim-shpëtimi.
Por pavarësisht të mirave që kjo anije premton, sipas prodhuesve do të duhet të kalojnë disa vite – rreth 10 ose 15 – para se të bëhet realitet.