Policia e Shtetit njoftoi se ndëshkoi deri në mesditë 509 drejtues mjetesh të cilët thyen urdhrin për ndalim qarkullimi të automjeteve.
Ndërkohë 76 drejtues mjetesh janë të shoqëruar në ambientet e Komisariateve, pasi kanë kundërshtuar punonjësit e Policisë për masën administrative, për thyerjen e urdhrit për ndalim qarkullimi të automjeteve dhe po këtyre drejtueseve u janë bllokuar edhe automjetet.
Nga orët e para të mëngjesit, Policia e Shtetit, në bashkëpunim me ushtrinë, kanë vijuar kontrollin e zbatimit të këtyre masave shtesë.
Konkretisht, janë evidentuar nga shërbimet e Policisë:
– Tiranë, 171 drejtues mjetesh
– Durrës, 77 drejtues mjetesh
– Fier, 54 drejtues mjetesh
– Vlorë, 53 drejtues mjetesh
– Lezhë, 61 drejtues mjetesh
– Shkodër, 45 drejtues mjetesh
– Elbasan, 48 drejtues mjetesh.
“Ndaj këtyre drejtuesve është vendosur kufizimi i lëvizjes, si dhe po kryhen veprimet administrative sipas parashikimeve të nenit 7, paragrafi 12 i Ligjit Nr. 8378, datë 22.07.1998, Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë (i ndryshuar)”, citohet nga deklarata e policisë.