Extra “Ti djall i vogël, je i dobët…”, Kremlini tallet me sfidën e...

“Ti djall i vogël, je i dobët…”, Kremlini tallet me sfidën e Elon Musk për duel me Putin

Miliarderi Elon Musk është kthyer shekuj pas, kur konfliktet zgjidheshin me anë të dueleve tek për tek. Ai ka sfiduar Presidentin rus, Vladimir Putin, në dyluftim, për të “fituar” Ukrainën.

Elon Musk, përmes një postimi në Twitter i kërkoi Vladimir Putinit, që ti bashkohet atij në një duel me artet marciale ku “bast” do të ishte përfundimi i luftës në Ukrainë.

Pak pas kësaj kërkese ka ardhur edhe përgjigjja nga Kremlini.

Ka qenë zyrtari rus Dmitry Rogozin, ai i cili ironizoi këtë kërkesë të Musk përmes një vargu nga “Përralla e priftit dhe e punëtorit të tij Balda” të Alexander Pushkin.

“Ti, djall i vogël, je ende i ri”, tha Rogozin, duke cituar historinë popullore të Pushkinit dhe duke shtuar: “Ti je i dobët të konkurrosh me mua, do të ishte vetëm humbje kohe. Parakaloni më parë vëllanë tim.”

Musk, nga ana e tij, përsëriti se ai është “absolutisht serioz” në lidhje me ofertën dhe kur u pyet nëse do të habitej nëse Putini do ta pranonte sfidën, Musk këmbënguli se “do të ishte një nder”.

“Nëse Putini do të mund ta poshtëronte kaq lehtë Perëndimin, atëherë ai do ta pranonte sfidën, por ai nuk do”, shkroi Musk.