Nuk do të jetë derbi i tyre i parë, në karrierën e tyre kanë përjetuar me dhjetëra të tillë, si futbollistë, e një si trajner.
Derbi i kësaj të premte do të jetë dhe një sfidë në stol, mes dy trajnerëve të shtëpisë, Ardian Mema dhe Skënder Gega, që e kanë sfidën e dytë kundër njëri-tjetrit. Në këtë sezon me Tiranën dhe Partizanin, i kemi parë të festojnë për triumfet e skuadrave të tyre por dhe të përfshihen nga emocionet e forta, si për të treguar se ata triumfin dhe dështimin e ekipeve të tyre e ndjejnë në ADN, pasi për ta ngjyrat e ekipit por dhe derbi janë përjetimi më i rëndësishëm.
Ajo mes Tiranës dhe Partizanit, do të jetë dhe një sfidë tifozësh në stol, që janë mësuar me rëndësinë e derbit që në moshë të re, kur mbronin fanellat e skuadrave që sot drejtojnë, dhe për dy personazhe të tillë, një derbi është më i rëndësishëm se çdo sfidë kalendari, pavarësisht se pozicioni i detyron të jenë ndoshta më të ftohtë se protagonistët e tjerë të sfidës, të paktën deri në vërshëllimën e fundit, ku emocionet mund të mbizotërojnë sërish, atëherë kur skuadra e tyre të ketë kryer detyrën në fushë. Derbi i kësaj të premteje, do të jetë mbi të gjitha derbi i tyre.