Një fund mjaft i hidhur për Tiranën në “Selman Stërmasi”, pasi Laçi ia doli t’u rrëmbejë barazimin me një gol të shënuar në sekondat e fundit të ndeshjes, që gjithsesi pritet të pasohet me polemika të shumta.
Bardheblutë gjetën golin e avantazhit në minutën e 45-të, me anë të Sentamu, ndërsa veçanërisht gjatë pjesës së dytë patën një sërë mundësish për të dyfishuar, përfshi këtu edhe një 11-metërsh, por nuk ia dolën të konkretizojnë në kuadratin e Selmanit.
Arbitri kryesor, Kridens Meta akordoi 6 minuta shtesë, por loja u ndërpre sërish, pasi në mënyrën më të papranueshme, arbitri anësor mori një goditje në kokë, nga një send që fluturoi nga tribuna e stadiumit.
Për këtë arsye, arbitri la që të luheshin edhe 3 minuta të tjera, ndërsa pikërisht në sekondat e fundit, një shpërqendrim i mbrojtjes bardheblu bëri që të përfitonte Redon Xhixha dhe të shënonte golin e barazimit, në një kohë kur kurbinasit po luanin me një lojtar më pak.
Festë për laçianët dhe tension për bardheblutë, të cilët rrethuan arbitrin Meta për t’i kërkuar llogari për kohën e shumtë shtesë, ndërsa ky i fundit mbylli takimin menjëherë pas golit të barazimit të miqve, duke mos lejuar që loja të riniste nga mesi i fushës.
Me këtë barazim Tirana shkon në kuotën e 30 pikëve, 6 më tepër se Kastrioti, por tashmë e sheh veten në vendin e 8, pasi Luftëtari e ka parakaluar, duke shkuar në kuotën e 31 pikëve.
Teuta është rikthyer te fitorja që i mungonte prej më tepër se një muaji, pasi mposhti me rezultatin minimal 1-0 skuadrën e Kastriotit, në sfidën e zhvilluar pasditen e sotme në “Niko Dovana”.
Një gol i shënuar nga Shehu në fillim të pjesës së dytë, ishte vendimtar për skuadrën e Shkëmbit, që mori një 3-pikësh me mjaft vlera, në kuadër të garës për një vend në zonën europiane.
Me këtë fitore “djemtë e detit” shkojnë në kuotën e 43 pikëve, duke u shkëputur me plot 5 pikë nga ndjekësja më e afërt, që tashmë është Flamurtari. Nga ana tjetër krutanët komplikojnë gjithçka sa i përket rrugës drejt mbijetesës, pasi dy rivalët e tyre në këtë betejë janë shkëputur edhe më shumë.