Një tjetër aksident ku u përfshinë dy shtetas italianë është shënuar në vendin e quajtur “Bistricë”, në aksin rrugor “Sarandë – Syri i Kaltër”. Një motomjet tip “Dayang”, me drejtues shtetasin italian G. V., 27 vjeç dhe pasagjere shtetasen italiane M. P., 25 vjeçe, është përplasur me automjetin tip “Volkswagen” me drejtues shtetasin O. Zh., 22 vjeç, banues në Sarandë.
Si pasojë e aksidentit janë dëmtuar drejtuesi i motomjetit dhe pasagjerja, të cilët janë transportuar në spital, në gjendje jashtë rrezikut për jetën. Drejtuesi i automjetit po shoqërohet në Komisariat, për kryerjen e veprimeve procedurale. Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e rrethanave të aksidentit.
Kujtojmë se pak ditë më parë, dy turistë italianë humbën jetën në një aksident rrugor në aksin Sarandë-Ksamil.