Numri i shoqërive ajrore që operojnë në vendin tonë pritet të rritet sërish në pranverë, duke shtuar edhe një destinacion të ri direkt.
Linja e re ukrainese “SkyUp”, e inauguruar më 14 Dhjetor, njoftoi gjatë konferencës prezantuese edhe destinacionet që do t’i ofrojë publikut ukrainas. Në këto fluturime direkte me çmim të ulët përfshihet edhe Tirana, bashkë me Turqinë, Spanjën, Italinë, Egjiptin, Bullgarinë dhe Qipron.
Turizmi është edhe arsyeja kryesore për shtimin e këtij fluturimi me Shqipërinë, bazuar edhe tek fakti se themeluesi Yuri Alba, zotëron edhe tur operatorin Join UP. Edhe pse kjo e fundit duhet ende të shtojë Shqipërinë në katalogun e pushimeve.
Megjithatë kompania shprehet se ka ndërmend të bashkëpunojë edhe me agjenci të tjera turistike dhe linja ajrore.
Çmimet për fluturimet e brendshme do të nisin nga 500 UAH, ose rreth 2 mijë lekë, çka do të thotë se me shumë gjasa fluturimet ndërkombëtare do të variojnë në rangun e 30-40 eurove.
SkyUp do t’i shtohet në këtë mënyrë 18 linjave të tjera që operojnë në vendin tonë. Ndërkohë, duke nisur nga muaji Prill, plane për të shtuar Shqipërinë si destinacion ka edhe në disa shoqëri ajrore nordike.
Fluturimet drejt Shqipërisë do të jenë me shumë gjasa për një periudhë 6-mujore. Udhëtimi i shtetasve të dy vendeve bëhet pa viza nga data 1 Prill deri më 4 Nëntor. Sipas marrëveshjes me Ukrainën, shqiptarët mund të hyjnë atje me pasaportë dhe kanë të drejtë qëndrimi 90 ditë.