Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë përmes një deklarate thotë se mbetet vendosmërisht e përkushtuar ndaj reformës në drejtësi, e cila është kërkesë e popullit shqiptar.
Që prej 2016-s, atëherë kur u miratuan unanimisht ligjet themelore për reformën, ambasada thotë se janë ngritur institucione kyçe dhe vazhdon zbatimi për t’i bërë ato funksionale. Ambasada bën thirrje që të mos humbasë përqendrimi sepse synimi është që popullit shqiptar t’i jepet reforma që kërkoi.
“Reforma është e dhimbshme, e ngadaltë dhe e papërsosur, por është e nevojshme. Reforma në drejtësi po ecën përpara dhe duhet të vazhdojë, në mënyrë që Shqipëria të bëhet anëtare e plotë e familjes europiane. E gjithë Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të vijojë të mbështesë synimin e popullit shqiptar. Ne nuk duhet të humbasim përqendrimin, ne nuk duhet të çorientohemi – synimi është i qartë, populli shqiptar foli dhe reforma në drejtësi duhet të ecë përpara, hap pas hapi”, thuhet në deklaratë.