Mbretëria e Bashkuar ka regjistruar një rekord të ri për sa i përket numrit të viktimave pasi 1.820 persona humbën jetën nga koronavirusi në 24 orët e fundit.
Vendi ka shënuar dhe 38.905 raste të reja gjatë së mërkurës.
“Shërbimi kombëtar i shëndetit (NHS) është nën një trysni të madhe në të mbarë vendin”, tha sekretari i shëndetësisë Matt Hancock të hënën, teksa shpjegoi se numri i të shtruarve në spitale është në nivelin më të lartë që prej fillimit të pandemisë.
Një qytetar shtrohet në spitalet e Britanisë çdo 30 sekonda, kanë deklaruar autoritetet.
Britania ka miratuar përdorimin e tre vaksinave, përfshi këtu Pfizer, Moderna dhe atë të universitetit të Oxfordit.
Deri më tani, 4.609.740 qytetarë kanë marrë dozën e parë të vaksinës.
Qeveria është shprehur se shpreson që të ketë vaksinuar gjithë qytetarët më të rrezikuar dhe punonjësit në sektorin e shëndetësisë para mesit të shkurtit.
OBSH: Varianti britanik i koronavirusit është zbuluar në 60 vende
Varianti britanik i koronavirusit të ri Covid-19 vazhdon të përhapet në të gjithë botën dhe ishte i pranishëm javën e kaluar në 60 vende dhe territore, 10 më shumë se më 12 janar, ka njoftuar Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Me numrin e vdekjeve globale që tashmë ka kaluar dy milionë dhe variante të reja të virusit që shkaktojnë shqetësime të thella, vendet në të gjithë botën po merren me mënyrën e ngadalësimit të infeksioneve derisa vaksinat të bëhen të disponueshme.
Varianti i Afrikës së Jugut, i cili, ashtu si ai anglez, është shumë më ngjitës sesa virusi origjinal SARS-CoV-2, përhapet më ngadalë dhe është i pranishëm në 23 vende dhe territore, 3 më shumë se më 12 janar, specifikoi OBSH në raportin epidemiologjik javor.
Sipas raportit të OBSH-së, numri i vdekjeve të reja u rrit në një rekord të lartë prej 93 000 gjatë shtatë ditëve të mëparshme, me 4.7 milionë raste të reja të raportuara për të njëjtën periudhë.
Nisja e fushatave të vaksinimit masiv në SHBA dhe Evropë kishte sjellë shpresën se fundi i pandemisë ishte në horizont. Bashkimi Evropian tha të martën se po synonte të vaksinonte 70 për qind të popullsisë së saj të rritur para fundit të gushtit.
Shtetet e Bashkuara mbeten shtëpia e shpërthimit më të keq në botë sa i përket numrit të përgjithshëm.