Adoleshentët e arrestuar për përdhunimin e një vajze 14-vjeçare të shkollës “Rilindja” në Kavajë, kanë pranuar ngjarjen e rëndë. Sot ata kanë dalë para gjykatës për rivlerësim të masës së sigurisë, pasi ndaj tyre është vendosur “arrest në burg”.
Shtatë adoleshentët kanë pranuar abuzimin me 14-vjeçaren, raporton ABC News, të cilët pohuan se kjo gjë ka ndodhur disa herë.
Në seancën gjyqësore ndodhen edhe prindërit e fëmijëve të arrestuar.
Vajza shantazhohej me një video intime që kishte me të dashurin e saj dhe detyrohej që të kryente marrëdhënie seksuale edhe me djemtë e tjerë. Nga marrja në pyetje e personave te përfshirë në këtë ngjarje të rëndë, mësohet se kanë qenë të paktën 3 episode në kohë dhe vende të ndryshme, kur e mitura nën presionin e shantazhit ka pranuar që të kryente marrëdhënie me shokët e shkollës. Të gjithë personazhet e kësaj ngjarje të paprecedentë mësohet se janë nxënës të shkollën 9-vjeçare “Rilindja”.
Ngjarja u zbulua pas kallëzimit në polici të vet 14-vjeçares që mban datën 29 Janar të këtij viti. E mitura ka pohuar se është abuzuar nga 8 persona të moshës 14-17 vjeç, ndërsa një 15-vjeçar vijon të jetë në kërkim. Policia nuk kishte njoftuar për ngjarjen e rëndë që kishte ndodhur në shkollën “Rilindja”, ndërsa i pari që e denoncoi ka qenë ish-Kryeministri Sali Berisha.