Tom Doshi, hapi fushatën elektorale në Tiranë, ku prezantoi listën e kandidatëve të këtij qarku. Kreu i PSD-së zbuloi sloganin e partisë që drejton për zgjedhjet e 25 Prillit dhe tha se forca që ai drejton është e vetmja që mund t’i kthejë shpresën qytetarëve.
Gjatë fjalës së tij, Doshi foli edhe për SHBA, vend i cili e ka shpallur person të padëshiruar për korrupsion domethënës. Ai u shpreh se është mbështetës i Amerikës dhe punës që ata kanë bërë. Doshi theksoi ndër të tjera se është një ndër personat kyç që ka mundësuar kalimin e Reformës në Drejtësi.
“PSD është krijuar në 1991, ne jemi parti e qendrës, përfaqësojmë të majtë, e të djathtë, të persekutuar, të gjithë që janë bindjet e tyre. Sloganin e kemi “Na jepni besimin, t’ju kthejmë shpresën”. Shqiptarët janë pa shpresë. PSD-ja është e vetmja forcë që do t’ju kthejë këtë shpresë. Shqetësimi më i madh është korrupsioni. Ju citoj thënie të Papës, “korrupsioni është si lebra, që sëmur dhe vret shpresën”. Unë jam një mbështetës i Amerikës, ka qenë një shpresë për mua që në 1991, por punën më të madhe që ka bërë për shqiptarët Amerika është Reforma në Drejtësi. Te kjo reformë unë jam njeriu kyç, që ajo reformë ka kaluar. Në këto zgjedhje në do të jemi forcë e tretë. Jeni të gjithë figura të pastra, që s’mund të ju akuzojë kurrkush për korrupsion. Detyra jonë është të dhurojmë dhe buzëqeshje siç ka thënë Nënë Tereza Ju falenderoj të gjithëve për kontributin që po jepni, por edhe për bashkëpunimin me njëri-tjetrin”, tha ai.
Nëpërmjet disa postimeve në rrjetet sociale, ambasadorja Yuri Kim ka kujtuar shpalljen “non grata” të Doshit nga SHBA-të. Ajo ka kërkuar që, ai të mos kandidojë në zgjedhjet e 25 Prillit.