Në intervistë për DW ish-kryeministri britanik Tony Blair, e konsideron me vend një referendum i ri për Brexit, por një katastrofë daljen nga BE pa marrëveshje.
DW: Zoti Blair, si ju duket “Plani B” i kryeministres Theresa May?
Tony Blair: Ashtu si e kuptoj unë, pas tij qëndron ideja për ta ndryshuar marrëveshjen e daljes nga BE. Vetëkuptohet që kjo duhet të negociohet midis qeverisë britanike dhe BE. Unë dhe të tjerë në BE jemi të mendimit se kjo procedurë nuk sjell asnjë dobi. Nuk ka asnjë lloj marrëveshjeje për atë se ç’pamje do të ketë marrëdhënia jonë e ardhshme tregtare me Evropën. Një grup dëshiron që ne të qendrojmë të lidhur ngushtë me Evropën, një grup tjetër që të dalim krejtësisht nga sistemi tregtar evropian. Këta janë skenarë shumë të ndryshëm, për të cilët duhet të votojë populli. Sepse parlamenti me siguri që do ta bllokojë sërish veten. Dyshoj që Theresa May të arrijë ta kalojë marrëveshjen në parlament, por për asnjë formë tjetër të Brexitit nuk ka shumicë. Prandaj do të ishte veprim i arsyeshëm që të pyetet edhe njëherë populli.
Çfarë do të ndryshojë një referendum i dytë?
Do të ndryshonte diçka në masën që do të kishim një rezultat përfundimtar. Nganjëherë njerëzit pyesin mos vallë një referendum i dytë do ta dëmtonte demokracinë. Po ne po i drejtohemi sërish popullit. Nuk po pyesim dikë tjetër, po pyesim qytetarët. Pas vetes kemi 30 muaj negociata. Ndërkohë ekziston një kuptim shumë më i mirë i asaj se çfarë do të thotë Brexiti dhe për të gjitha çështjet e lidhura me të. Në këto kushte nuk është e paarsyeshme, që t’i pyesim edhe njëherë qytetarët, nëse duhet ta rimendojnë edhe njëherë vendimin e tyre.
“Kemi alternativën midis një Brexiti të pakuptimtë dhe një Brexiti të dhimbshëm”
Pavarësisht nëse do të ketë apo jo një referendum të dytë: çfarë Brexiti do të kemi për mendimin tuaj?
Për momentin ne thjesht nuk e dimë. Një Brexit pa marrëveshje do të ishte një katastrofë për të gjithë. Problemi është se dy skenaret me kuptim të Brexitit janë shumë të ndryshëm. Njëri parashikon që ne të mbetemi në tregun e brendshëm ose në bashkimin doganor. Kjo do të thoshte megjithatë që ne t’u përmbahemi rregullave të Evropës, por do të humbisnim të drejtën e votës. Ky do të ishte një vendim grotesk, sepse mbështetësit e Brexitit duan të dalin nga ky sistem. Një zgjidhje tjetër do të ishte një marrëveshje e tregtisë së lirë për shtete të treta, siç e ka Kanadaja. Por kjo do ta copëtonte ekonominë britanike, e cila bën që prej katër dekadash e gjysmë biznese si anëtare e BE, lidh marrëveshje tregtare, investon.
Pra ne kemi një Brexit, i cili është pa kuptim, dhe një Brexit që është i dhimbshëm. Këto nuk janë alternativa të mira. Prandaj Parlamenti nuk avancon më tej. Problemi me marrëveshjen e May-t është që ajo është absolutisht e turbullt, për sa i përket së ardhmes. As për Evropën dhe as për Britaninë e Madhe nuk do të ishte e arsyeshme që të ndahen, pa e ditur atë që sjell e ardhmja.
Si do të kishit vepruar ju në vend të Theresa May-t?
Njerëzve duhej t’u shpjegoje mundësitë e ndryshme, kryeministri duhet të thoshte si një mësues i kombit, “shikoni, këto janë opsionet tona, dhe ja se ç’duan të thonë ato. Parlamenti tani duhet të vendosë për to.” Por kur Parlamenti nuk është në gjendje të marrë një vendim, sepse deputetët nuk bien dot dakord për një Brexit, i cili të funksionojë sipas pikëpamjes së tyre, nuk është e gabuar, që të thuash: kur është puna për një vendim të përmasave të tilla, është e rëndësishme të pyetet populli.
Çfarë keni bërë gabim në kohën e mandatit tuaj, që mund të ketë çuar në frikën e britanikëve se kushtet e BE janë të këqija?
Në kohën e mandatit tim në Evropë kishte shumë debate, por ne gjithmonë kemi ngulur këmbë që Britania e Madhe duhet të ishte pjesë e Evropës – megjithë kritikat tona në sistemin evropian. Edhe gjermanët e kritikojnë Evropën, të gjithë e bëjnë. Gabimi ka qenë që jemi marrë shumë pak me problemet, mbi të cilat bazohet skepticizmi ndaj BE: imigrimi dhe njerëzit, që ndihen të anashkaluar nga globalizimi. Po të isha në detyrë do të thosha se duhet të merremi me këto pika. Edhe po të përpiqesh ta ndalosh Brexitin duhet të dish, se çfarë e bëri kaq të madhe dëshirën për t’u larguar nga BE. Duhet të merremi me pikat e kritikës, përndryshe kemi vështirësi të mëdha. Tragjikja është se Brexiti nuk zgjidh asnjërin nga problemet që qëndrojnë në themel të tij. Kjo është dilema, në të cilën ndodhet Britania e Madhe, dhe duhet të gjejmë një rrugëzgjidhje.
Ç’pamje do të ketë Britania e Madhe vitet e ardhshme? A do të vazhdojë të jetë kaq e fortë?
Shikoni, në Britaninë e Madhe ne po përjetojmë tani një debat mjaft të thellë dhe të nxitur nga kriza. Por Britania e Madhe është një vend i mrekullueshëm dhe britanikët janë njerëz të mrekullueshëm. Ne do të ngrihemi përsëri në këmbë. Unë jam kundërshtar pasionant i Brexitit, por po ta kalojmë atë, ne do të organizohemi sërish dhe do të ecim sërish përpara. Këtu është fjala jo vetëm për Britaninë e Madhe, por edhe për Evropën. Kur ke një ekonomi të fortë, kur largon nga Evropa një lojtar të fuqishëm politik, Evropa dobësohet. Para pak kohësh u botua një letër e politikanëve drejtues gjermanë, e cila ishte shumë ndihmuese dhe e arsyeshme. Britanikët dhe evropianët duhet të kuptojnë: e ardhmja jonë duhet të jetë e përbashkët.
Tony Blair i Partisë Laburiste ka qenë kryeministër i Britanisë së Madhe në vitet 1997-2007./Intervistën e zhvilloi Ben Fajzullin.