Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka bërë thirrje të njëpasnjëshme në protestën e sotme për largimin përfundimtar nga pushteti të Kryeministrit të vendit.
Berisha u shpreh se revolucioni demokratik do të triumfojë dhe protestat nuk do të ndalen.
“Pas këtij akti të pabesë ndaj aleatit më të madh Shteteve të Bashkuara, Edi Rama nuk është më i njëjti njeri, polikisht e moralisht. Atë nuk e shpëton dot asgjë, asnjë marrëveshje, asnjë gënjeshtër, asgjë tjetër. Jep dorëheqjen dhe largohu! Këtë ndërtesë e ke blinduar, në Surrel ke future në tunele tanke dhe autoblinde të ushtrisë, gjysmën e tyre çoji në Ukrainë. Idealet tona shpojnë çdo blind, asgjësojnë çdo tank, mjerë ti! Mjerë ti që mendon se mund të mbrohesh në këtë mënyrë”, deklaroi ai.
Ai u ndal dhe tek çështja “McGonigal”, duke thënë se Rama tradhëtoi shtetin mik dhe një akt i tillë duhet të marrë ndëshkimin më të rëndë.
“Shqipëria sot shihet në mbarë botën si strofull e krimit dhe drogës, Kryeministri i korrupton zbuluesin më të rëndësishëm të aleatit kryesor. Edi Rama gjatë viteve në pushtet ke kryer, faktuar të gjitha llojet e tradhtive që mund të kryejë njeriu por tradhtia më e ulët është ndaj mikut, ajo që ndëshkohet në mënyrën më të rëndë. Nisu aty ku e ke vendin, te shtylla e turpit në banesën e tradhtarëve. Ti Edi Rama ke kryer akt armiqësor ndaj këtij vendi për të cilin Putin, Kim Jong Un, Lukashenko janë gati të të varin në qafë dekoratën e tyre më të lartë o faqezi. Importet nga Kolumbia janë rritur 60 herë për ta shndërruar këtë vend në një Kolumbi të dytë të Evropës”.
Kryedemokrati e cilësoi kreu e qeverisë një rrezik madhor për sigurinë e Shqipërisë, rajonit e më gjerë.
“Edi Rama, ti je një rrezik madhor për sigurinë e Shqipërisë, rajonit dhe më gjerë. Largohu Edi Rama bashkë me organizatën tënde kriminale, revolucioni ynë nuk ndalet gjer në largimin tuaj. Korrupsioni të ka gërryer shpirtin, të ka zhveshur nga çdo moral për ta dëshmuar veten një trashëgimtar të denjë të etërve tuaj xhelatë. Pse duhet shqiptarë të durojmë këtë poshtërim që po u bëhet atyre? Imagjinoni sikur një njeri si ky të bëjë hapin në samitin e NATO-s, kombi i tërë do skuqen nga turpi”, tha Berisha ndër të tjera.