Kryesore “Cunam popullor i revolucionit demokratik”, Berisha: Edi Rama, kreu i narkoshtetit të...

“Cunam popullor i revolucionit demokratik”, Berisha: Edi Rama, kreu i narkoshtetit të vetëm në Europë

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha kërkon largimin nga detyra të kryeministrit Edi Rama.

Cunam popullor i revolucionit demokratik, e ka quajtur Sali Berisha protestën e sotme të opozitës, të thirrur pas përmendjes së emrit të kryeministrit Edi Rama në çështjen McGonigal. Lideri demokrat tha se qëllimi i këtij revolucioni është mbrojtja e të vërtetave dhe përmbysjen e monizmit të dytë.

Në fjalën e tij përpara protestuesve të mbledhur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, Berisha e akuzoi Ramën si Kryeministrin më të korruptuar të Europës.

Çështjen “McGonigal”, kryedemokrati e konsideron “Watergate” të shekullit të XXI, sipas të cilit Kryeministr Edi Rama përmendet 14 herë akt-akuzën e prokurorisë amerikane.

“Në protestën e fundit, opozita pro-perëndimore e Shqipërisë, u tregoi të vërtetën liderëve europianë se Edi Rama është kryeministri më i korruptuar në Europë, se është kreu i narkoshtetit të parë dhe të vetëm në Europë.

Të gjithë e mbani mend baltën që hodhi Rama mbi opozitën për ta heshtur atë, të gjithë i mbani mend masat që i mori kundër popullit opozitar për të mos protestuar atë ditë. Të gjithë e mbani mend atentatin që organizoi me një mjeran të paguar, por ai mori turpin botëror. Zëri ynë ushtoi në gjithë botën.

E vërteta kurrë nuk mbulohet dot. E vërteta triumfon gjithmonë, ashtu si rrezja e diellit që shpërndan terrin, e vërteta jonë bëhet gjithmonë e më ndriçuese, në Shqipëri, por edhe te miqtë tanë në botë.

Sot mediat e gjithë botës po flasin të vërtetën që shprehu opozita dy muaj më parë në atë protestë. Sot mediat botërore mbajnë në faqen e parë skandalin, Uotergejtin e shekullit të XXI.

Në këtë skandal, Edi Rama është i vetmi kryeministër që përmendet 14 herë që korruptoi dhe përdori si vrasës me pagesë kundër opozitës perëndimore të Shqipërisë, njërin nga zbuluesit më të fuqishëm të planetit.

A ka atentat më të rëndë ndaj demokracisë së një vendi se ky?

A ka turp më të madh për Shqipërinë se sa ky akt?

Dikur Shqipëria bënte lajmin e botës për pritjen madhështore për presidentin e SHBA, sot Shqipëria përbën lajmin e botës se kreu i narkoshtetit, sikur të ishte Lukashenko i Bjellorusisë, korrupton shefin e kundërinteligjencës së FBI, partnerit tonë më strategjik, udhëheqësit të Aleancës së Atlantikut të Veriut.

Dikur Shqipëria bënte lajm për hyrjen në NATO, sot bën lajmin e botës se kryeministri i saj barazohet me një oligark rus, mik të Putinit, strofull të shërbimeve kriminele inteligjente ruse, ku të dy së bashku korruptojnë funksionarin më të lartë të Kundërzbulimit të SHBA, njëri për interesa të Putinit, tjetri për interesa të pushtetit të tij të korruptuar. O besëprerë, kombi nuk ka pasur një faqezi të dytë si ti. Jep dorëheqjen, largohu!

Pas këtij akti të pabesë ndaj aleatit të madh të kombit shqiptar, SHBA, Edi Rama nuk është më legjitim.

Edi Rama, këtë ndërtesë e ke blinduar, në Surrel ke fituar tanket dhe autoblindat e ushtrisë.

Tani po të them që ato tanke, largoji nga Surreli, gjysmën çoji në Ukrainë, po nuk të lë Putini dhe Vuçiçi, sepse idealet tona, idealet e këtij revolucioni shpojnë çdo blind, asgjësojnë çdo tank.

Mjerë ti!

Shqipëria shihet sot në mbarë botën si strofull e rrezikshme e korrupsionit, e krimit dhe drogës, vendi i një kryeministri që sikur të ishte aleat i Putinit, i korrupton zbuluesit më të rëndësishëm partnerit tonë kryesor.

Me këtë akt, duke korruptuar një nga njerëzit më të çmuar në fushën e sigurisë të vendit që ka bërë më shumë se çdo tjetër për lirinë e shqiptarëve, ti Edi Rama ka kryer një akt armiqësor, për të cilin Putini është gati të të varë në qafë dekoratën më të lartë”, tha ndër të tjera Berisha.