Prokuroria italiane e Catanzaros mbylli hetimet për operacionin që zbuloi lidhjen midis eksponentëve të krimit shqiptar dhe atij italian të Catanzaro, të akuzuar për një shoqatë që synonte trafikun e paligjshëm të drogës, zhvatjen dhe marrjen e mallrave të vjedhura.
Sipas mediave italuane, droga, kryesisht heroinë, vinte nga Turqia dhe, duke kaluar nga Shqipëria, importohej në Itali nëpërmjet portit të Barit, për t’u shpërndarë më pas në qendrat e trafikut të drogës në Crotone, Catanzaro dhe provincat.
Sipas konkluzioneve të hetimeve, Arkez Dibrani ishte në krye të organizatës, me stacion në Shqipëri, nga ku drejtonte trafikun e drogës, duke marrë vendime për transportin e lëndës narkotike dhe duke siguruar drejtuesit dhe mjetet e një kompanie transporti për veprimtari të paligjshme, me qendër në Durrës.
Po ashtu, Dibrani u ndihmua nga Samuel Garuja, Isa Garuja dhe Samuel Muça. Të tre ishin përgjegjës për rrjetin e shpërndarjes së drogës në Catanzaro, duke vendosur kontakte me blerësit me shumicë të heroinës.