Është ndjerë keq gjatë kohës që po stërvitej dhe më pas ndërroi jetë pak minuta pasi mbërriti në spital. Bëhet fjalë për notarin Kenneth To, 26 vjeç, fitues i medaljes së argjendtë në stafetën 4×100 metra miks në Botërorin e Barcelona 2013. Më parë, ai kishte fituar edhe 6 medalje në Lojërat Rinore të Singaporit, në vitin 2010, përfshi edhe një të artë.
Ende nuk dihen shkaqet e vdekjes së notarit, që ka lindur në Hong Kong, por që fëmijë është transferuar në Australi (prej vitit 2016 kishte vendosur të mbronte ngjyrat e vendit të lindjes). Kenneth To po stërvitej në Florida të Amerikës, me objektivin e kualifikimit për në Tokio kur ka ndodhur ngjarja e rëndë që i mori jetën.
Notari po stërvitej në pishinën e Universitetit të Gator Swim Club kur ndodhi tragjedia. “U ndje keq gjatë stërvitjes dhe u dërgua me urgjencë në spital. Për fat të keq nuk ia doli mbanë”, thanë drejtuesit e notit në Hong Kong.