Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, ka marrë pjesë në prezantimin e projektit të transformimit të ambienteve të Godinës së Arkivës Gjyqësore-Lundër ku mbahen dhe menaxhohen të gjitha dokumentacionet e rëndësishme të organeve të drejtësisë.
Gjatë fjalës së saj në Universitetin Politeknik të Tiranës, Gjonaj tregoi se pse zgjodhi t’ja besojë implementimin e këtij projekt studentëve dhe pedagogeve të Universitetit Politeknik dhe jo kompanive kontraktuese, duke vënë theksin te vëmendja dhe rëndësia që duhet t’u jepet të rinjve.
Ky projekt është produkt i marreveshjes së nenshkruar midis Ministrisë së Drejtësisë dhe Universitetit Politeknik në bazë të dokumentit të Paktit për Universitetin si nje nisme qeveritare.
“Të gjithë ne nuk kemi pasur kurrë dilema për t’ju besuar dhe ngarkuar me përgjegjësi ndihmuese dhe inspiruese në funksion të së nesërmes suaj profesionale dhe personale. Dhe vetë ky projekt, është një dëshmi suksesi për bashkëpunimin mes Ministrisë së Drejtësisë dhe Universitetit Politeknik të Tiranës, i cili padyshim i shtohet si ogur “Paktit për Universitetin” i cili në muajin Janar nisi si mision, ndërsa sot është shndërruar në një realitet të prekshëm për të gjithë”, -u shpreh Gjonaj.
Nga ana tjetër, ministrja u ndal edhe te vëmendja që Ministria e Drejtësisë po i jep të rinjve duke pasur në fokus të fjalës së sajk meritokracinë.
“Nga ana tjetër, ndjehem mirë kur kolegë tuaj të drejtësisë dhe jo vetëm, pasurojnë çdo ditë pjesën e administratës që unë drejtoj, duke rigjeneruar të gjithë sistemin i cili deri para disa vitesh… nga sistem drejtësie ishte shndërruar në sistem padrejtësie për punonjësit që emëroheshin me referenca partish dhe jo me referenca meritokracie”, -u shpreh Gjonaj.
Ndërkohë, ajo tregon edhe për rëndësinë që ka ky projekt në kuadër të plotësimit të të gjithë infrastrukturës së nevojshme që ka të bëjë me Reformën në Drejtësi
“Ky projekt, i zbatuar nga Ministria e Drejtësisë dhe i realizuar nga studentët dhe pedagogët e këtij universiteti, është një produkt mjaft i rëndësishëm për të gjithë ne pasi i shërben transformimit rrënjësor të ambienteve të Godinës së Arkivës Gjyqësore, Lundër në të cilën mbahen dhe menaxhohen dokumentacionet e rëndësishme të organeve të drejtësisë. Ju keni qenë vetë aty dhe e keni parë se çfarë kemi trashëguar dhe sa i rëndësishëm është ky investim për Institucionin e arkivës gjyqësore. Ndaj edhe kjo iniciativë konkrete është një tjetër element i rëndësishëm që vërteton vullnetin real dhe pozitiv që ka ndërmarrë qeveria shqiptare për të plotësuar të gjithë infrastrukturën e nevojshme, e cila gjithashtu ka të bëjë me Reformën në Drejtësi për të cilën siç e dini ne jemi investuar maksimalisht, në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Europian”, theksoi Gjonaj.
Nga ana tjetër, rektori i UPT Andrea Maliqari, vlerësoi ministren Etilda Gjonaj duke e falenderuar për mundësinë që u ofroi studentëve.
“Sikurse e shikoni ky është një takim i veçantë, ndryshe nga takimet e zakonshme në Universitetin Politeknik. Sot jemi këtu në një takim të veçantë me përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë, me specialistë të fushave të drejtësisë. E veçanta tjetër është se në këtë takim kemi edhe pjesmarrjen e Ministres së Drejtësisë znj. Etilda, të cilën e falenderoj për prezencën në këtë takim, por edhe për kontributin dhe për bashkëpunimin që UTP ka me Ministrinë e Drejtësisë në kuadrin e paktit për universitetin, duke filluar qe nga përgatitja e paketave ligjore sidomos të VKM 188, e cila lidhet me këtë aktivitet që ne zhvillojmë sot, por njëkohësisht edhë për mbështetjen që në kemi pasur dhe bashkëpunimin në fushën e projekteve në infrastructure”, -nënvizoi rektori.
Më tej ai tha se: “Sot, veçoria është që pikërisht nga Ministria e Drejtësisë, ky projekt që ka qenë i pari që ka ardhur në kuadrin e paktit për universitetin dhe VKM 188, ka patur këmbën e mbarë për të përfituar të tjera projekte në shërbim të të gjithë aktivitetit që ka Universiteti Politeknik. Do të doja të thoja që pikërisht ky bashkëpunim krijoi një dimension të ri në atë komponent të rëndësishëm që ka Universiteti Politeknik që është puna profesionale dhe kërkimore. Pëkërisht në këtë kuadër në kemi gjetur një bashkëpunim me ministritë e linjës, por njëkoësisht edhe me Ministrinë e Drejtësisë”, -u shpreh Maliqari.