Marash Kumbulla është një nga lojtarët e rinj më të vlerësuar në Serie A. Qysh në sezonin e parë debutues në elitën e futbollit italian, shkodrani kuqezi ra në sy. Tashmë, mjaft klube janë vënë në gjurmët e tij, ndër të cilët thuhet se Interi është në “pole position”. 20-vjeçari ka dhënë një intervistë të veçantë për “SportWeek”, duke u ndalur në hapat e parë të karrierës, modelet që ka në rolin e tij dhe shumëçka tjetër.
KARANTINA – “Kjo pandemi më mësoi të mos e merrja gjithçka si të mirëqenë dhe të kënaqem me gjërat e vogla. Unë kam qenë në gjendje të kaloj më shumë kohë me familjen, gjithashtu mësova të bëja “rizotto” me shije. Shkurt, në të gjitha gjërat që kam bërë, jam argëtuar, edhe pse më mungonte jeta e përditshme, Greta (e dashura) dhe stërvitja”.
SERIOZ, POR JO I MADH – “Unë ende ndjehem pak si një fëmijë, në kuptimin që më pëlqen të argëtohem. Dhe pastaj ende luaj “PlayStation”. E bëj këtë edhe kur Greta kërkon vëmendjen time. Ajo me të drejtë zemërohet”.
HAPAT E PARË NË FUTBOLL – “Kur isha katër vjeç, babai im më regjistroi në shkollën e futbollit të Peschiera. Ai donte të përcillte pasionin e tij tek unë dhe duhet thënë se gjithçka shkoi mirë (qesh). Edhe vetë isha i lumtur që shkoja në stërvitje dhe, për të qenë i sinqertë, jam akoma. Trajnimi është gjithçka për mua. Verona? Unë mendoj se çdo futbollist i ri ëndërron të luajë për ekipin e qytetit të tij. Unë bëra disa prova te Hellas dhe drejtuesit më përzgjodhën në ekipin e parë”.
PARATË – “Me pagën time të parë si futbollist nxora familjen për darkë. Unë nuk jam i fiksuar pas shpenzimeve dhe lekëve. Thjesht i plotësoj vetes disa teka, siç janë disa veshje, apo video-lojëra…”
SHKOLLA – “Futbolli nuk më ndaloi t’i vazhdoja studimet. Unë jam tani në vitin e fundit të shkollës për administrim, financë, marketing dhe kontabilitet. Institucioni ku mësoj më ndihmon shumë dhe gjithmonë më ka dhënë mundësinë të studioj nga shtëpia, madje edhe para bllokimit të Covid-19”.
ROLI – “Më pëlqen të jem mbrojtës. Më pëlqejnë duelet, madje edhe ato ajrore dhe me kontakt fizik. Dhe pastaj nuk ka asgjë më të kënaqshme sesa një shpëtim rasti për gol, si njeriu i fundit, para portierit”.
PIKAT E FORTA – “Kur luaj, jam shumë i përqendruar, i ftohtë dhe i vendosur. Këto janë të gjitha aspektet e karakterit tim. E kuptoj mirë veten kur luaj “PlayStation” ose lojra të tjera me miqtë. Për shembull, nëse ata fitojnë, brohorasin. Nëse humbasin, dëshpërohen. Në vend të kësaj unë kurrë nuk e humb ekuilibrin dhe gjakftohtësinë”.
PIKAT E DOBËTA – “Mendoj se kufiri im më i madh është këmba e dobët. Më saktësisht, duhet të përmirësohem me këmbën e majtë”.
MODELET – “Që kur isha fëmijë, e kam admiruar shumë Chiellini për shpirtin e tij konkurrues. Tre mbrojtësit më të fortë sot? Van Dijk për forcën e tij fizike, Sergio Ramos për përvojën dhe vendosmërinë në fushë, si dhe De Vrij për aftësinë për të lexuar veprimet”.
SHQIPËRIA – “Zgjodha të luaj me kombëtaren shqiptare sepse e gjithë familja ime është shqiptare. Edhe unë, gjithashtu, ndihem shqiptar. A kanë djemtë shqiptarë një mentalitet tjetër? Është çështje stimuluese: në përgjithësi ato vijnë nga situata më të vështira se ato, në të cilat rriten fëmijët italianë. Dhe për të dalë prej saj, ju duhet një uri dhe dëshirë e veçantë”.