Aktualitet Tre persona të maskuar dhe të armatosur me kallashnikov grabisin një argjendari...

Tre persona të maskuar dhe të armatosur me kallashnikov grabisin një argjendari në Kamëz

Një argjendari ka rënë pre e grabitësve pasditen e kësaj të marte në Kamëz.

Autorët sipas policisë kanë qenë 3 persona të maskuar e me një armë të dyshuar kallashnikov.

“Më datë 28.11.2023, rreth orës 17:15, në rrugën “Nënë Tereza”, tre persona të maskuar, nën kërcënimin e një sendi të dyshuar si armë zjarri automatik, kanë marrë disa bizhuteri në argjendarinë e shtetases E. S., dhe më pas janë larguar me një automjet tip “BMW”. Shërbimet Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje. Janë ngritur pikat e përkohshme të kontrollit në qarqet Tiranë, Durrës, Lezhë, Kukës dhe Shkodër“, tha policia në një njoftim paraprak për mediat.

Po sipas policisë, për këtë rast është krijuar një grup i posaçëm hetimor me specialistë të strukturave të posaçme të luftës kundër krimeve të rënda.

Grupi hetimor mbi bazën e të dhënave të administruara po punon për zbardhjen e dokumentimin e autorësisë të kësaj ngjarje.