Shërthimi i koronavirusit në Kinë ka ngjallur shqetësime të mëdha globale, për shkak të përhapjes dhe numrit të viktimave, deri më tani 81 viktima, por vetëm në zonën ku ka shpërthyer në Wuhan të Kinës. Shqetësimi është se virusi mund të vijë deri në Shqipëri, nga studentë që kthehen dhe nga shtetas kinezë që ndodheshin në Kinë dhe ndërkohë kthehen gjithashtu në Shqipëri.
Sipas Ministrisë së Jashtme, janë 400 shqiptarë që jetojnë në Kinë, me 60 prej tyre që kanë shkuar atje si studentë. Pas rastit të Silvës e cila ndodhet në Wuhanin e izoluar tashmë, dhe e bën të vështirë kthimin e saj, janë tre studentë të tjerë shqiptarë që janë nisur drejt Shqipërisë. Ministrja Manastirliu nga emisioni RealStory tha se janë studentë në Wuhan, ku ka shpërthyer koronavirusi, dhe një nga vajzat po vjen me linjë ajrore me tranzit nga Roma, ndërsa dy të tjerët po vijnë nga Kroacia.
Lidhur me masat që do merren për rastin e tyre, ministrja tha:
“Ne si ministri jemi të angazhuar për t’u kujdesur. Ata janë në rrugë. Janë dy skeda që janë duke u plotësuar. Njëra plotësohet në momentin kur identifikohet; skeda e pasagjerit dhe më pas skeda e shëndetit të tij. Në rastet kur nuk paraqitet problematika me shëndetin, parashikohet dhe ndiqet në dinamikë çdo rast.”
Por nuk hiqet mundësia që këta student të futen dy javë në karantinë për të parë nëse virusi u shfaqet.
Shefja e departamentit të Sëmundjeve Infektive në ISHP tha se duhet ndjekur protokolli dhe se karantina mund të vendoset në spital, por edhe në shtëpinë e tyre.
“Ata mund të mos jenë të infektuar. Po të kenë një shenjë klinike, ata mund t’i shfaqin, nis me temperaturë. Në periudhën e inkubacionit nuk e dimë nëse infekton apo jo. Ata studentë duhet të futen në karantinë për 2 javë. S’ka asgjë të keqe. Karantina mund të vendoset në spital ose në shtëpi. Kemi ndjekur të njëjtin protokoll me Ebolën dhe ata që u kthyen nga Liberia”.