Extra Trejsi Sejdini largohet nga Shqipëria pas telasheve me të dashurin bos droge,...

Trejsi Sejdini largohet nga Shqipëria pas telasheve me të dashurin bos droge, nis jetë të re mes luksit në New York

Pak kohë më parë, modelja Trejsi Sejdini njoftoi se do të zhvendosej në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të provuar karrierën si modele dhe duket se e ka bërë fakt. Tashmë ajo poston foto nga New Yorku, ku ekspozon jetën e luksit, njësoj siç e bënte në Shqipëri.

Trejsi ka marrë pjesë në sfilatën e parë në Javën e Modës në New York. Ajo hapi shfaqjen e Raul Penaranda duke prezantuar koleksionin e 21-të të markës, ndërsa doli në pasarelë e veshur me një fustan të zi, momente të cilat i shfaqi me disa foto në “Instagram”.

“E lumtur që po hap shfaqjen për Raul Penaranda në Javën e Modës 2020. Faleminderit që më zgjodhët!”, shkruante ajo. E menjëherë pas largimit të saj, ajo ra në sy edhe të supermodeles me famë botërore, Gigi Hadid. Kjo për shkak të dy fotove të publikuara nga Trejsi, ku ka veshur një kostum sportiv të Gigit, në bashkëpunim me markën e veshjeve “Reedbok”.

Ylli botëror ripostoi fotot e Trejsit në “Instagram”-in e saj dhe kjo gjë e ka lumturuar shumë modelen shqiptare, e cila e konsideron një idhull.

“Faleminderit shumë idhulli im! Të dua shumë Gigi!”, shkroi Trejsi. Duket se me largimin nga Shqipëria, Trejsi la pas jetën e saj gjithë telashe me të dashurin problematik, për të filluar një jetë të re mes luksit në SHBA. Kujtojmë që ajo u përfshi në një skandal policor, pasi i dashuri i saj, Leonard Duka, (tashmë në kërkim), vrau ish-efektivin Santiago Malko. Gjithashtu, pak kohë më parë u publikua një video ku raportohej se Trejsi u rrah brenda makinës së saj nga disa çuna.

JETA E TREJSIT/ SI U BRAKTIS NGA I DASHURI DHE STRATEGJIA QË NDOQI PËR TË FSHIRË TË SHKUARËN E ERRËT

Po cila ishte strategjia e Trejsit, për të deklaruar se ajo po mbyllte një kapitull të errët të jetës së saj në Shqipëri, për të nisur një tjetër në SHBA? Hapi i parë ishte të deklaronte se ishte ndarë nga i dashuri problematik. Gjatë një interviste në “RTV Ora”, Trejsi foli për jetën e saj private. Ajo u shpreh se momentalisht është single, duke deklaruar kështu ndarjen nga i dashuri i saj në arrati, Duka. Pyetjes: “Aktualisht, je single apo në një lidhje”, ajo iu përgjigj: “Për momentin jam single. Kjo nuk do të thotë që tani duhet të më suleni të gjithë dhe të filloni me provokimet tuaja”, tha ajo. “Miss Universe Albania 2018”, Trejsi Sejdini për shkak të historisë së saj me një prej kokave të bandave, është një emër i lakuar gjatë në median rozë.

“Unë si Trejs dhe çfarëdolloj personi tjetër, besoj se nuk mban përgjegjësi për veprimet e askujt, qofshin të hijshme, të pahijshme, të vërteta ose jo. Realisht, më vjen shumë turp që më është lakuar emri në situata të tilla. Gjithashtu, dua të theksoj faktin që nuk kam dashur të bëj nga këto gocat e ‘Instagram’-it që nxjerrin story dhe shajnë mediat, nuk më ka pëlqyer kjo gjë. Trejsi është ‘Miss Albania 2018’. Mund të kërkoni emrin tim dhe mund të shikoni Wikipedia se çfarë sinonimesh kam unë si modele, domethënë sekssimbol, model, ‘Miss Universe Albania’, pafund. Trejsi nuk ka lidhje me asgjë që është e paligjshme. Nuk kam lidhje me asnjë person që ka lidhje me banda”, u shpreh ajo ndër të tjera.

Por direkt pas kësaj deklarate publike, ndjekësit hodhën dyshimet e tyre nëse kjo mënyrë të shprehuri ishte një strategji e saj për “të pastruar figurën” pas shkrimeve të shumta, ku emri i saj si vajzë showbizz-i u përmend në kronikën e zezë. Ndërsa burime të afërta pranë pohuan pas kësaj deklarate se ka qenë i dashuri në arrati, ai që ka hequr dorë nga Trejsi, duke e braktisur dhe duke u larguar pa gjurmë nga jeta e saj. Kujtojmë që Trejsi Sejdini është një nga modelet shqiptare që reklamon hapur jetën e saj luksoze.

Pas vrasjes së ish-efektivit doli në pah edhe personi që fshihej pas të ardhurave marramendëse të modeles, i dashuri i saj. Për ata që e njohin, e dinë se Leonard Duka vetëquhet te miqtë e tij si “Princi Damian”, një nofkë e cila sipas tij reflekton luksin dhe jetën që ka 37-vjeçari, duke qenë se zotëron disa biznese.

Megjithëse u arrestua në prill të vitit të kaluar, ia doli t’ia hidhte paq nga drejtësia. Deklarata e Trejsit se s’kishte më punë me të erdhi disa ditë pas statusit në “Instagram”, ku shprehej: “Ndihem si Toni Montana”, ndërkohë që ish-partneri i saj është në kërkim si kokë e grupit të kokainës “Duka” në Tiranë, i skeduar si grup i strukturuar i trafikut të drogës Shqipëri-Gjermani.

Pasi ra në pranga bashkë me tre persona të tjerë si kokë e grupit të kokainës “Duka”, mediat shkruan se i dashuri ishte liruar, që do të thoshte se Trejsi i rikthehej jetës së lumtur me udhëtime dhe blerje super të shtrenjta që ai i bënte. Për të festuar daljen nga burgu të të dashurit, ajo realizoi disa foto të nxehta, ku mori shumë komente për veshjet intime që kishte zgjedhur e deri te linjat e palestruara. Trejsi Sejdini, e cila u bë e njohur pas një videoje ku shfaqej duke rrahur një djalë, tërhoqi në fillimet e saj mjaft fansa në rrjetet sociale.

Albumi i fotografive dhe videoja që postoi në “Instagram” pas lajmeve për të dashurin, mori menjëherë mijëra pëlqime dhe qindra komente, nga pozitivet e deri te kritikat. Lidhur me këto komente, “Miss Universe Albania” vendosi që të mos reagonte, duke shijuar vetëm anën pozitive të tyre. Të njëjtën gjë bëri edhe me komentet që iu bënë për daljen nga burgu të të dashurit pas një operacioni të bujshëm, duke mos thënë asgjë në lidhje me faktin që u komentua edhe ajo në shkrimet për këtë çështje. Në dosjen e ardhur nga Gjermania, me kod “ZF/13-442 AL” dhe në 7 raportet e SHISH-it për vitin 2018, në skedën “Leonard Duka dhe Grupi” u bashkëngjit edhe emri Trejsi Sejdini si e dashura e tij, pjesë përfituese e trafikut të drogës, faktuar kjo lidhje e të dyve edhe me një foto të publikuar në “Instagram” nga vetë “gangsterja e Elbasanit” ditën e Shën Valentinit, 14 shkurt 2019.

Ndërkohë që ish-i dashuri i saj është ende në kërkim, Trejsi vazhdonte ta shijonte jetën si më parë dhe postonte foto gjithmonë e më të nxehta, duke ngacmuar me statuset provokuese, deri në momentin kur do të deklarohej single. Le të shohim nëse jeta e saj në SHBA do të jetë po ashtu e mbushur me skandale e drama, apo ka vendosur të ndryshojë me të vërtetë. /Panoramaplus.al