Edhe pse më shumë se gjysma e deputetëve nuk iu përgjigjen ftesës për të qenë në Kuvendin e sotëm të Partisë Demokratike, Sali Berisha duket i pashqetësuar.
Pasi votoi për anëtarët e Këshillit Kombëtar, ai tha se investimi dhe qëllimi i tij ka qenë bashkimi i bazës.
Ish-kryeministri Berisha kujtoi se dera ka qenë e hapur dhe për deputetët, por veçimi i tyre nga shumica, sipas tij, mbetet zgjedhje e tyre.
“Kuvendi ishte Kuvend i bashkimit. Sot në sallë ishin me qindra delegatë. Në listë ka dhjetëra e dhjetëra të propozuar për anëtar të këshillit Kombëtar nga ata demokratë dhe demokrate që para 6 marsit qëndruan në një pozicion tjetër. Përqendrimi im total ka qenë bashkimi i bazës. Ju i shihni xhirot e ish-kryetarit që dëshmojnë qartësisht sa e bashkuar është PD në bazë. Deputetët një pjesë e mirë ishin, një pjesë tjetër nuk ishin. Ky tren nuk mund të ndalet kurrë, treni i PD-së së rithemeluar është treni shpëtimtar i Shqipërisë. Nuk ka më kohë as një orë, asnjë ditë të shpenzohet me problemet e brendshme. Cilido është i mirëseardhur por ata që duan të qëndrojnë në pozicionin e tyre kanë bërë zgjedhjen e tyre dhe unë do ti respektoj. Kam qenë, jam dhe mbetem i interesuar që deputetët ti bashkohen shumicës së PD, mirëkuptoj vështirësitë sepse u shkëputën për disa muaj dhe 6 Marsi dëshmoi qartë kush ishte shumicë. Çdo deputeti i takonte të dilte në anën e shumicës. Ata që zgjedhin veçimin bëjnë zgjedhjen e tyre”.