Tri kërkesa për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti kishin kësaj radhe dy emisarët perëndimorë për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe i dërguari amerikan, Gabriel Escobar. Qetësimi i situatës në veri të Kosovës, mbajtja e zgjedhjeve të reja në këtë pjesë dhe kthimi në tavolinën e dialogut. Dy emisarët perëndimorë po vizitojnë Prishtinën dhe Beogradin në përpjekje për të gjetur një zgjidhje për qetësimin e situatës, sidomos në tre komunat në veri të Kosovës, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok. Në këto komuna, që nga data 29 maj, serbët lokalë po protestojnë rregullisht duke kundërshtuar hyrjen e kryetarëve shqiptarë në ndërtesat komunale. Nga protestat pati edhe dhunë dhe mbi 30 ushtarë të KFOR-it, morën lëndime.
“Bisedime të gjata, të sinqerta e të vështira”
“Ne e prezantuam një propozim në emër të komunitetit ndërkombëtar që përmban tre elemente. Kishim bisedime të gjata, të sinqerta dhe njëkohësisht të vështira”, tha i dërguari i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Lajçak që së bashku me Escobar takuan kryeministrin Kurti në orët e vona të së hënës. Lajçak tha se është “në interes të të gjithëve që në veri të Kosovës të ketë kryetarë të komunave legjitime dhe që përfaqësojnë qytetarët”.
Kurse i dërguari amerikan për Ballkanin, Gabriel Escobar, tha se erdhi në këtë takim si mik i Kosovës, duke shpresuar që kërkesat e tyre drejtuar kryeministrit Kurti, do të dëgjohen. “Nuk kam parë kurrë kaq shumë unitet brenda komunitetit transatlatnik. SHBA-ja, BE-ja, NATO-ja dhe pothuajse çdo mik i Kosovës e ka bërë të njëjtin propozim. Kështu që shpresoj të dëgjohemi”, tha Gabriel Escobar, që shtoi më tej. “Një gjë dua të them, erdha këtu si përkrahës i madh i Kosovës. Duam më të mirën për Kosovën. Duam që Kosova të përmbushë të gjitha aspiratat. Jemi përkrahësit më të mëdhenj të sigurisë suaj, pavarësisë, sovranitetit dhe tërësisë suaj tokësore. Krejt çfarë po kërkoj është të dëgjohemi”, theksoi zoti Escobar.
Kurti shpreh gatishmëri për çtensionim, por ka edhe kërkesa
Se a i ka dëgjuar kërkesat e tyre kryeministri Kurti, këtë nuk e thanë asnjëri nga emisarët, por, theksuan se janë në fillim të misionit të tyre. Ndërkohë, nga zyra e Kryeministrit të Kosovës, thuhet se Kurti ka shprehur “gatishmërinë e parezervë dhe mirëbesimin e palëkundur për angazhim intensiv e të përbashkët për de-eskalim të gjendjes në veri dhe normalizim të marrëdhënieve”, duke paraqitur edhe kërkesat e tij. “Rruga përpara është ndalimi i menjëhershëm i sulmeve nga ekstremistë të dhunshëm dhe grupe kriminale ndaj organeve të sigurisë vendore dhe ndërkombëtare si dhe gazetarëve. Ai ftoi Brukselin dhe Uashingtonin që të bëjnë thirrje për ndalim të dhunës dhe ndjekje penale e ndëshkim të kryerësve të saj”, thuhet në njoftim.
“Vetëm sundimi i ligjit mund t’i hapë rrugë zgjedhjeve të parakohshme, të lira, demokratike e të ndershme. E tillë duhet të jetë edhe fushata parazgjedhore, theksoi kryeministri Kurti. Kandidatët dhe votuesit në zgjedhjet e reja duhet të garojnë e marrin pjesë pa frikë e kërcënime. Rendi dhe ligjshmëria sigurisht që do të zvogëlonin proporcionalisht edhe numrin e policëve në ndërtesat komunale në tri komunat veriore”, thuhet në njoftimin e kryeministrisë.
Do të marrë pjesë Lista Srpska në zgjedhje?
Po si ka reaguar subjekti politik më i madh i serbëve të Kosovës Lista Srpska pas misionit të ndërmjetësimit nga Lajçak dhe Escobar? Dy kërkesa ka paraqitur Lista Srpska për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale që mund të organizohen në veri gjatë verës. Ata kërkojnë “tërheqjen e njësisë speciale të Policisë së Kosovës nga pjesa veriore e vendit dhe formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë, në bazë të Marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013, përkatësisht 2015”. Autoritetet e Prishtinës refuzojnë krijimin e një Asociacioni që do të kishte kompetenca ekzekutive.
Dy emisarët perëndimorë për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe ai amerikan Gabriel Escobar, të martën takuan në Prishtinë edhe Presidenten Vjosa Osmani, ndërsa do të nisen për në Beograd për të zhvilluar biseda me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës më herët i kanë kërkuar Kosovës zhvendosjen e përkohshme e kryetarëve të rinj shqiptarë të veriut në zyra të tjera alternative, deri në mbajtjen e zgjedhjeve nga të cilat duhet të dalin kryetarë që kanë legjitimitet. E nga Serbia ndërkaq kërkohet tërheqja e forcave të armatosura serbe të stacionuara afër kufirit me Kosovën, ulja e gjendjes së gatishmërisë, ruajtja e qetësisë së protestuesve në veri dhe sigurimi i pjesëmarrjes së serbëve të Kosovës në zgjedhje të reja që mund të mbahen gjatë kësaj vere.