Përdorimi i ujit me gaz për një kohë është konsideruar si i dëmshëm, informacione këto që kanë shtyrë shumë përdorues të heqin dorë nga ai.
Por, cila është e vërteta për këtë?
Në një studim të publikuar edhe në revistën javore Time, pesë ekspertë ishin të mendimit se, uji mineral është mjaft i shëndetshëm për t’u konsumuar, dhe nuk paraqet asnjë rrezik.
Më e rëndësishmja që këshillohet nga mjekët, është kontrolli i etiketës së ujit që blen, për t’u siguruar që nuk përmban kripëra, apo ëmbëlsues. Por fillimisht, shihni mitet që janë thyer nga studimi për ujin mineral.
Miti 1 – Uji me gaz nuk hidraton sa uji normal
Kjo dyshohej se ishte e vërtetë për shkak të pranisë së dioksidit të karbonit.
Por në të vërtetë, dioksidi i karbonit nuk parandalon hidratimin e trupit, por përkundrazi, pas aktivitetit të sforcuar, uji i gazuar është po aq efektiv sa uji natyral në hidratimin e trupit.
Miti 2 – Është i dëmshëm për dhëmbët dhe eshtrat
Acidi karbonik, i formuar prej bashkimit të H2O-së me CO2, mund të gërryejë smaltin e dhëmbëve në rastet e përqendrimit shumë të lartë.
Pa merak. Për sa kohë nuk konsumoni 6 shishe ujë të gazuar në ditë, dhëmbët janë të sigurt. Dhe për sa i përket dëmit në kocka, një studim ka vërtetuar se uji i gazuar nuk ndikon fare në uljen e densitetit të tyre mineral.
Miti 3 – Konsumimi i ujit me gaz ju bën të shtoni në peshë
Është e vërtetë se konsumimi i ujit me gjithë ato flluska mund të shkaktojë fryrje përkohësisht, por në raport afatgjatë, uji me gaz ju bën të humbni peshë.
Studiuesit kanë zbuluar se uji me gaz shkakton një ndjesi ngopjeje më të madhe se uji natyral, veçanërisht kur jeni me stomak bosh. Dhe sa më të ngopur të ndiheni, aq më pak ushqim do të konsumoni. Thjesht shmangni versionet me sheqer.