Masakra në Vjosë u ndal dhe tani keqbërësit kanë hyrë në një proces hetimi për t’u përballur me ligjin. Në këtë betejë disa ditore kundër një biznesmeni të papërgjegjshëm, që mendon se mund t’i mbijetojë dështimit, duke shkatërruar pasuritë natyrore të Shqipërisë, ka disa lajme të mira.Frika më e madhe që kisha në këtë histori, është ajo që ka ndodhur në vitin 2007-2008, kur isha i vetëm në betejën kundër ngritjes së stabilimentit të shëmtuar të nxjerrjes së ujit “Trebeshina” në zemër të Grykës së Këlcyrës.
Sali Berisha jo vetëm që nuk reagoi, por pikërisht për të treguar se nuk e ndikon dot askush në vendimet e tij, i legalizoi uzurpimin e tokës, ujit dhe ndërtesën që shëmton gjithë Grykën e Këlcyrës dhe që një ditë duhet larguar andej patjetër.Pikërisht për shkak të kësaj historie, kisha frikë se arroganca e qeverisë mund të përsëritej dhe unë do të isha dy herë fajtor për krimin në atë vend.Herën e parë që u ngrit dhe tani që po shkatërronte dhe ujëvarat. Lajmi është se kjo qeveri provoi se është ende e ndjeshme dhe reagon ndaj opinionit publik, shoqërisë civile dhe shtypit të angazhuar në këtë betejë. Tani jemi të gjithë më të qetë.Lajmi i dytë i mirë është që pati një ndjeshmëri të madhe në rrjet kundër masakrës. Një aktiviste e shoqërisë civile Brizida Gjikondi i dha zë çështjes në rrjet dhe shumë shpejt ajo u bë çështje e shumë njerëzve, që ndoshta dhe nuk e kishin shumë të qartë se ku dhe çfarë perle po rrezikohej.
Ky është një lajm i rëndësishëm, për të kuptuar se në shoqërinë tonë janë rritur ndjeshmëritë ndaj mjedisit dhe ndaj pasurive tona natyrore dhe sidomos është rritur agresiviteti ndaj njerëzve të papërgjegjshëm që për interesa fare banale financiare, janë gati t’i vënë kazmën atyreDhe lajmi i tretë, është rëndësia që mori në këtë çështje shoqëria civile, rrjetet sociale dhe disa media onlinë. Të gjitha së bashku zgjuan qeverinë nga gjumi dhe gjunjëzuan median qëndrore, radiotelevizionet kombëtare dhe ato lokale që heshtën në mënyrë shembullore për shkak të kapjes nga biznesmeni në fjalë.
Nuk dua t’u bëj gjyq atyre, por jam i gëzuar që nuk janë të rëndësishëm në beteja të tilla. Kjo histori tregoi se një betejë fitohet dhe duke pasur me vete opinionin publik, pa qenë nevoja t’u biesh në gjunjë televizioneve të mëdha kombëtare dhe atyre lokale, të cilat fikin ekranet po që se një biznesmen u shkel syrin për një fond më të madh reklamash. Dhe për këtë duhet falenderuar sërish Vjosa.