Opinione Tridhjetëvjeçarëve shqiptarë ende nuk iu dha kumti për demokraci

Tridhjetëvjeçarëve shqiptarë ende nuk iu dha kumti për demokraci

Nga Veton Surroi

Çdo gjë vazhdon të jetë njëjtë derisa të mos jetë më?

1.
Fëmijët e lindur më 1989 në Shqipëri, vitin kur ra Muri i Berlinit dhe shënoi në formë spektakolare rrënimin e komunizmit, janë gjenerata e vetme e evropianëve prej Lisbonës deri në Talin, që nuk janë të sigurt se a janë legjitime zgjedhjet demokratike tridhjetë vjet më vonë.
Këtë ndjenjë të pasigurisë e kishin breza të ndryshëm prindërish evropianë të rritur në komunizëm, kur u organizuan zgjedhjet e para në vendet e tyre. Por, vit pas viti, zgjedhje pas zgjedhjesh, polakë e çekë, kroatë e hungarezë dhe bullgarë e moldavë, kalonin nëpër dilemën se a kanë hyrë me të vërtetë në demokraci dhe vit pas viti, zgjedhje pas zgjedhjesh rritej besimi se po përmbusheshin së paku standardet themelore të një demokracie zgjedhore.
Prindërit e fëmijëve evropianë të lindur më 1989, prej Lisbonës deri në Talin, që të gjithë me përjashtim të Shqipërisë, ua lanë në trashëgimi së paku sigurinë e procesit zgjedhor. Rrjedhimisht, ua lanë në trashëgimi dy besime thelbësore për zhvillim: besimin në legjitimitetin e demokracisë dhe në legjitimitetin e institucioneve shtetërore të ndërtuara me demokraci (apo legjitimitetin e shtetit).
Fëmijëve shqiptarë të lindur më 1989, prindërit e tyre nuk ua lanë trashëgimi këto besime dhe gjatë një dhjetëvjetëshi të pjesëmarrjes së tyre cikle zgjedhore nuk arritën të krijojnë as vetë.
Fëmijët shqiptarë të lindur më 1989 ende vijojnë të jetojnë me dilemën fillestare të prindërve të tyre se a thua do të jenë në gjendje të organizojnë zgjedhje të lira. Prindërit e tyre ende jetojnë me bindjen, kolektive, se zgjedhjet më të mira (në kuptimin e drejtësisë) në Shqipëri ishin ato të organizuara më afër komunizmit dhe nga ish-komunistët, më 1992.
Fëmijët shqiptarë të lindur më 1989 dinë se komunizmi shënoi vdekjen e vet simbolike në vitin e tyre të lindjes, por ende nuk janë të sigurt, në tërësi, se a jetojnë në një demokraci parlamentare.

2.
Dilema e brezit ’89 nuk është hamendësim.
Kryeministri i vendit beson se zgjedhjet vendore do të mbahen më 30 qershor të këtij viti, në përmbushje të afatit kushtetues dhe dekretit të mëhershëm të presidentit të Republikës. Besimi i kryeministrit dhe i partisë së tij është legjitim. Mbështetet në parimin se zgjedhjet duhet të mbahen sipas kalendarit ligjor; nëse sot nuk respektohet kalendari zgjedhor, sepse këtë e bojkoton opozita, atëherë nesër një opozitë tjetër mund ta bëjë këtë në procesin zgjedhor dhe kështu nuk do të ketë më zgjedhje të lira.
Opozita beson se zgjedhjet nuk mund të mbahen pa u konstatuar deformimet në procesin e kaluar zgjedhor. Nëse ministrat kërcënojnë punëtorët e administratës të mbeten pa punë, policët pengojnë shkuarjen e furgonëve të votuesve të opozitës për të votuar, ndërsa figura të krimit shndërrohen në bankomate për blerjen e votave – ashtu siç doli në përgjimet e botuara nga gazeta gjermane Bild – atëherë brenga e opozitës është krejtësisht legjitime. Dhe i tillë është, legjitim, bojkoti.
Presidenti i vendit beson se nuk janë përmbushur kushtet për të mbajtur zgjedhjet më 30 qershor, i zhdekretoi ato dhe dekretoi një datë tjetër më 13 tetor të këtij viti. Besimi i tij është legjitim: në kushtet e polarizimit politik, të bojkotit të opozitës dhe të këmbënguljes që gara të jetë me vetëm një subjekt, do të deformohej përfaqësimi politik brenda vendit dhe objektivisht do të hapej tjetër rrugë për konkurrencën e pasioneve politike, ajo e rrugës.
Problemi, natyrisht, është se që të tria besimet legjitime – të kryeministrit, opozitës dhe presidentit – janë në kundërthënie të brendshme. Rrjedhimisht, tri legjitimitete kundërthënëse tregojnë mungesën e legjitimitetit të procesit politik. Rrjedhimisht, fëmijët e brezit ’89 ballafaqohen me zgjedhjet e radhës për të cilat nuk mund të kenë besim.

3.
Dhe, problemi i radhës është se nuk ekziston arbitër moral, juridik a politik që do të përcaktojë se çka është legale apo legjitime e çka jo.
Prindërit e brezit ’89 janë kujdesur që të mos ketë institucion të besueshëm. Në vend të institucioneve shtetërore kanë ndërtuar institucionin e korrupsionit. Çdo gjë në Shqipëri ka një çmim të shprehur në lekë a euro: kapërcimi i pengesave administrative në nivel zyrash, lirimi nga burgu, vota personale dhe e anëtarëve të familjes, posti i parlamentarit, përkrahja oligarkike e shtëpive mediale për këtë apo atë opsion politik. Erozioni i korrupsionit ka marrë me vete çdo gjë, përfshirë edhe Gjykatën Kushtetuese, duke ua lënë interpretimin se çka është ligjore e çka jo, çka është kushtetuese a jo, nivelit të debatit që i afrohet sharlatanërisë në debatet televizive të mbrëmjes.
Moraliteti qytetar ende është në fazën fillestare të arsyetimit të benefiteve ekonomike që vijnë nga droga: shyqyr që droga shkon jashtë e lekët vijnë brenda.
Në fjalorin politik, “çunat”, si në “po t’i dërgoj çunat në zonë”, gjatë zgjedhjeve, janë strukturat që janë kriminale kur janë të atyre, e janë çuna kur janë tanët.

4.
Shqipëria po hyn syhapur në një krizë të paprecedentë politike, madje aq të paprecedentë sa nuk ka më as përzierje të faktorit të jashtëm.
Ky është një përkujtim për brezin ’89: është ai momenti kur biçikletës së fëmijërisë i hiqen rrotat ndihmëse anësore dhe e kupton se ke mbetur në dy rrotat dhe në aftësinë apo paaftësinë për të ecur më tutje.
Ecja e mëtejme nuk do të jetë e mundur pa e trajtuar krizën e legjitimiteteve kundërthënëse. Ato duhet të zgjidhen – siç shihet -, tashmë vetëm brendapërbrenda spektrit politik e intelektual të Shqipërisë.
Brezi ’89 mund të vazhdojë të jetë shikues i ngjarjeve. Kjo u ndodhi prindërve të tyre, të rritur me besimin se gjërat do të vazhdojnë të jenë ashtu si janë derisa të mos jenë më. Dhe, përnjëherë u shemb edhe komunizmi në Shqipëri.
Por, me këtë besim, se gjërat do të jenë të njëjta derisa të mos jetë më, nuk zhbëhet sistemi i kapjes së shtetit i instaluar me pajtim të ndërsjellë mes palëve që përfaqësojnë sot pushtetin e opozitën.
Brezit ’89 i nevojitet një besim vetjak, i ndryshëm prej prindërve të tyre.

*Botuar në Koha.net