Komisioni i Posaçëm për Mbrojtjen e Gjyqtarëve pranë KLGJ miraton 6 muaj mbrojtje të veçantë për gjyqtarin Tonin Stërkaj.
Vendimi është marrë ditën e sotme, e ndërsa në përfundim të mbledhjes, ministri i Brendshëm, Taulant Balla u shpreh se zbardhja e kësaj ngjarjeje është një test për drejtorinë e policisë së Shkodrës.
“Ngjarja është test në drejtorinë e policisë së Shkodrës” tha Balla.
Nga ana tjetër, ai ka pasur mesazh për politikën dhe krimit, të cilëve “drejtësia i ka prishur qetësinë”.
“Duhet të japim mesazh ndaj çdokujt që mundohet të intimidojë magjistratët. I bëj thirrje kujtdo që të heqë dorë nga çdo lloj intimidimi ndaj sistemit gjyqësor. Gjyqtarë e prokurorë kanë prishur qetësinë e personave që janë objekt i hetimeve apo gjykimeve. Këtë e kisha thirrje ndaj gjithkujt”, përfundoi ministri.
Kujtojmë se rreth orës 03:00 të mëngjesit, një shpërthim ka ndodhur në lagjen “Tom Kola”. Gjyqtarit Sterkaj i ishte vendosur lënda plasëse te porta e oborrit të banesës. Si pasojë e shpërthimit, pati vetëm dëme materiale.