Është mbyllur takimi mes Partizanit dhe Luftëtarit, sfidë e vlefshme për javën e 11-të të Superiores. Kjo sfidë u luajt në “Selman Stermasi” dhe Partizani, arriti të triumfojë 2-0.
Të besuarit e Lerdës e kërkuan më shumë golin në këtë takim, por ishin miqtë ata që kishin shansin më të artë për të shënuar në pjesën e parë. Në minutën e 18-të, kapiteni Rapo ka mundësinë të shënojë me anë të një penalltie, por nuk tregohet i saktë. Kapiteni i bluzinjve gjuan në krahun e djathtë të Hoxhës, me portierin e Partizanit që e kupton dhe arrin ta presë gjuajtjen. Pjesa e parë u mbyll me rezultatin 0-0.
Në pjesën e dytë, Lerda ndërhyn në formacion, duke aktivizuar Asanin dhe Aristelles. Ishte Çinari ai që kaloi në avantazh Partizanin, në minutën e 54-ët. Pas një krosimi perfekt të Trashit, shkodrani shënon me kokë. Dy minuta më vonë, Asani fiton një penallti dhe gjuan po vetë, duke mposhtur për herë të dytë portierin mik. Me rezultatin 2-0, u mbyll rezultati i takimit, edhe pse rastet nuk munguan për asnjë skuadër.
Partizani ruan kreun e renditjes, tashmë me 21 pikë, ndërsa Luftëtari mbetet në vend të parafundit.