Një 41-vjeçar mbeti i vrarë me armë zjarri mbrëmjen e kësaj të marte në Elbasan, gjatë kohës që udhëtonte me makinë me bashkëshorten e tij.
Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 20:10, në lagjen “Skënderbej”, në rrethana ende të paqarta.
Viktima është Everest Çaka, 41-vjeç. Ndërsa bashkëshortja e tij, Silvana Çaka, mbeti e plagosur në dorë, fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën.
Forca të shumta policie shkuan menjëherë në vendin e ngjarjes dhe kanë ngritur pika kontrolli në hyrje-daljet e qytetit të Elbasanit.
Shkaqet dhe rrethanat e plota të kësaj ngjarjeje të rëndë nuk dihen ende.
Çifti Çaka jetonte në Spanjë
Ky është Everest Çaka, 41-vjeçari i cili mbrëmjen e kësaj të marte u ekzekutua me armë zjarri në qytetin e Elbasanit. Ngjarja ndodhi në lagjen “Skënderbej”, gjatë kohës që viktima ndodhej në automjet me bashkëshorten e tij, Silvana Çaka.
Kjo e fundit mori një plagë në dorë dhe u transportua në spital. Ajo ndodhet jashtë rrezikut për jetën, por e tronditur nga ngjarja e rëndë.
Ka qenë gruaja e viktimës që e alarmuar ka dalë me shpejtësi nga makina duke kërkuar ndihmën e banorëve të zonës për të njohur policinë dhe ambulancën, që pavarësisht përpjekjes nuk arritën që të mbanin në jetë bashkëshortin e saj.
41-vjeçari që u ekzekutua njihej me dy emra
Everest Çaka, njihej edhe me emrin Ibrahim Çaka. Çifti Çaka mësohet se jetonin në Spanjë dhe sapo ishin kthyer në Elbasan.
Dyshimet e deritanishme janë se vrasja e Çakajt të ketë si motiv hakmarrjen, pasi 11 vite më parë ai ka qenë i dyshuar për vrasjen e Gëzim Alikaj. 41-vjeçari është kushëriri i Arjan Spahiut i ekzekutuar në Belgjikë në vitin 2020.
Sa i përket autorëve të atentatit të kësaj të marte, identiteti i tyre mbetet i panjohur.