Në deklaratën e tij nga Shtëpia e Bardhë, presidenti Donald Trump dënoi ashpër regjimin fanatik të ajatollahëve në Republikën Islamike të Iranit, decertifikoi paktin për armët bërthamore me të, por nuk i tërhoqi Shtetet e Bashkuara nga pakti.
Ai theksoi se do të udhëzonte Kongresin amerikan për të rinegociuar kushtet e marrëveshjes, për të mos penguar Iranin dhe programin bërthamor vetëm për 15 vite, por për të garantuar sigurinë e Amerikës dhe aleatëve të saj për një periudhë 100-vjeçare.
Trump do t’ia referojë marrëveshjen Kongresit e do të konsultohet me aleatët mbi mënyrën sesi do të alternohet ajo, teksa akuzoi Iranin drejtpërdrejt si sponsori kryesor i terrorizmit në botë e kërkoi vendosjen e sanksioneve më të rënda edhe ndaj Gardës Revolucionare, të cilën e quajti një grup të korruptuarish.
Trump u shpreh se, me këtë ndryshim strategjie do të kërkohet që t’i mohohen regjimit islamik “të gjitha rrugët e mbërritjes tek armët bërthamore”, nj regjim që e akuzoi edhe për intimidimin e mbikëqyrësve ndërkombëtarë.
Sipas ligjit amerikan, presidenti duhet të certifikojë çdo 90 ditë se Irani po përmbush marrëveshjen dhe se është në interesin e Shteteve të Bashkuara të respektojë marrëveshjen. Presidenti Trump e ka bërë këtë dy herë, por jo me vullnet të plotë. Afati për certifikimin e ardhshëm është 15 tetori.
Moscertifikimi i marrëveshjes i hap rrugën një periudhe 60-ditore, gjatë së cilës Kongresi duhet të vendosë nëse do të rivendosë, disa apo të gjitha, sanksionet ekonomike që janë hequr si pjesë e marrëveshjes me Iranin. Shumë republikanë dhe demokratë e kundërshtojnë rivendosjen e sanksioneve, që në fakt do të minonin marrëveshjen.
Zyrtarët iranianë kanë theksuar se marrëveshja nuk mund të rinegociohet. Presidenti Iranian, Hassan Rouhani ka kërcënuar të largohet nga marrëveshja “brenda pak orësh”, nëse Shtetet e Bashkuara vendosin sanksione të reja.