“Budallaqe” e ka quajtur Presidenti amerikan Donald Trump, kancelaren gjermane Angela Merkel.
Dhe këtë ia ka thënë në sy, siç rrëfen gazetari i famshëm amerikan Karl Bërnstein, i cili ka zbuluar për publikun përmbajtjen e disa bisedave telefonike që lidhen me shefin e Shtëpisë së Bardhë, por edhe ato që ai vetë ka zhvilluar me udhëheqës të tjerë botërorë.
Siç shkruajnë media prestigjioze ndërkombëtare si CNN e Daily Mail, Bërnstein (I famshëm në çështjen Watergate) i ka marrë informacionet nga burime tepër konfidenciale që i kanë dëgjuar këto biseda.
Po ashtu, ish-kryeministres britanike Theresa May, Presidenti amerikan i ka thënë në një takim se ishte shumë e dobët dhe kishte mungesë të theksuar kurajo.
Në bisedat telefonike me Presidentin rus Vladimir Putin, Trump i është mburrur se ka një pasuri të madhe që e ka bërë vetë, duke dalë jashtë qëllimit të bisedave zyrtare për të diskutuar për fatet e globit.
Në telefonatat me Putinin, Trump e ka quajtur Obamën dhe pararendësit e tij, “të metë dhe ngordhalaqë”.
Mediat shkruajnë se në debatet telefonike, Trump ka pasur mungesë të theksuar informacioni përballë Putinit, për çështjet ndërkombëtare dhe kjo ka alarmuar ish-zyrtarë të administratës, si ish-këshilltarin për sigurinë kombëtare John Bolton, por edhe ish-Sekretarin e mbrojtjes James Mattis e atë të shtetit Tillerson.
Trump ka pasur kontakte të shpeshta dhe të ngushta edhe me Erdogan, por punonjësit e Shtëpisë së Bardhe u alarmuan pasi agjentët turq të sigurisë në Uashington po ndiqnin lëvizjet e Trump në mënyrë që Erdogan të dinte se kur të telefononte.
Në bisedat e tyre, Erdogan shfrytëzoi mungesën e njohurive të Trumpit për Lindjen e Mesme dhe e përdori atë.
I vetmi moment kur Trump është acaruar me Erdogan, është për arrestimin e një pastori amerikan në Turqi, që më pas u lirua.
Në shkrimin e Carl Bernstein thuhet se Trump dëgjon vetëm të bijën, Ivanka Trump dhe burrin e saj, këshillat e të cilëve janë të dobëta.
Ky raport tronditës është një goditje e fortë për Trump, në prag të zgjedhjeve për president, pas librit të ish-këshilltarit të tij të Sigurisë, John Bolton.