Agjencia e Ushqimit dhe Barnave në SHBA ka autoriziar përdorimin e plazmës së gjakut të pacientëve që janë rikuperuar nga COVID-19 si një trajtim për ata të cilët janë të infektuar nga virusi.
Kjo teknikë përdor plazmën e gjakut të pasur me antitrupa nga njerëzit që janë shëruar tashmë nga sëmundja. Një metodë e tillë është përdorur në mbi 70.000 njerëz në SHBA. Presidenti Donald Trump tha se trajtimi me plazmë gjaku mund të zvogëlojë vdekjet me 35%. Por disa ekspertë kanë shprehur rezerva në lidhje me qëndrueshmërinë e studimeve për këtë trajtim.
“Jam i kënaqur të bëj një deklaratë historike në betejën tonë kundër virusit kinez, e cila mund të shpëtojë jetë të shumta. Agjencia e Barnave lëshoi një autorizim për përdorim emergjent të trajtimit të njohur si plazma konvulsive.
Kjo është një terapi e fuqishme që transferon shumë antitrupa nga gjaku i personave të shëruar dhe që mund të ndihmojë të infektuarit.
Ky trajtim ka treguar shkallë të lartë suksesi ka provuar se ul vdekshmërinë me 35 për qind, është një numër i jashtëzakonshëm”, u shpreh presidenti Trump.
Njoftimi për përdorimin e plazmës së gjakut erdhi një ditë pasi Trump akuzoi administratën e barnave se për arsye politike ka penguar aksesin për vaksina dhe terapi.
E po ashtu lajmi bëhet me dije në prag të Konventës Kombëtare të Republikanëve, ku Trump do të emërohet si kandidat i cili do të garojë për një mandat të dytë në zgjedhjet presidenciale të nëntorit, ku do të përballet me demokratin Joe Biden.
Scott Gottlieb, drejtuesi i parë i Agjencisë së Ushqimit dhe Barnave gjatë administratës së Presidentit Trump, tha të dielën se përdorimi i plazmës është “ndoshta përfitues” për pacientët me koronavirus, por shtoi shqetësimin për mungesën e të dhënave.
Në konferencën e shtypit të së dielës binte në sy mungesa e Dr. Anthony Fauci, i cili është pjesëtar i grupit të punës së Shtëpisë së Bardhë për koronavirusin.
Dr. Fauci ishte mes atyre që nuk ishte dakord që FDA të miratonte autorizimin në kushte urgjence, sipas një njoftimi të gazetës “New York Times”. Sipas gazetës, Dr. Fauci mendon se të dhënat për miratimin e trajtimit janë ende shumë të pakta.
Presidenti Trump, i vetëdijshëm për akuzat e rivalit të tij Biden dhe demokratëve të tjerë, se ka dështuar në trajtimin e krizës së koronavirusit, ka thënë shpesh se zbulimi i një trajtimi për sëmundjen është i shpejtë dhe ka pohuar se virusi thjesht do të zhduket.
Deri tani në Shtetet e Bashkuara kanë humbur jetën 177 mijë vetë dhe mbi 5.7 milionë të tjerë janë infektuar, më shumë se në çdo vend tjetër të botës.