Politika Basha ngre alarmin për zbrazjen e vendit, tregon planin e PD për...

Basha ngre alarmin për zbrazjen e vendit, tregon planin e PD për ta ndalur

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka ngritur alarmin e largimit të të rinjve nga vendi, mbështetur në një raport të ‘Gallup’. Ai ka fajësuar keqqeverisjen e kryeministrit Edi Rama si një nga arsyet kryesore të këtij fenomeni.

“Sot shqiptarët largohen sepse kanë më pak mundësi për arsimim dhe ata që arsimohen më pak mundësi për punësim. Me Edi Ramën janë promovuar ata që kanë rekorde kriminale dhe jo të rinjtë e mirëshkolluar.

Taksat e larta të qeverisë Rama këto 7 vjet kanë marrë më shumë para nga xhepat e të rinjve se çdo qeveri tjetër, teksa korrupsioni nuk lë të ecin përpara ata që janë profesionistë të ndershëm”, tha kreu i PD.

Basha prezantoi planin me tri pika të Partisë Demokratike për të ndalur largimin masiv të të rinjve ‘përmes taksave të ulëta, investimeve në teknologji dhe një politike fiskale që mbështet punën’.

“Largimi i të rinjve është një plagë tjetër e madhe për Shqipërinë. Ne do të bëjmë gjithçka për t’i mbajtur në vendin tonë të rinjtë si krahun më vital të punës. Plani ynë do të mbështesë iniciativat e të rinjve, kushtet e duhura për punësimin dhe sipërmarrjet e tyre. Ata kanë plot ide, pasion dhe energjinë e duhur për t’i dhënë një hov të madh pozitiv zhvillimit të vendit”, tha kreu i PD.

Ne do të çlirojmë tregun nga monopolet që ekonomia jonë të marrë frymë lirisht: me taksa të ulëta, investime në teknologji dhe një politikë fiskale që mbështet punën”, tha kryedemokrati.