Renditur mes të parëve në garën botërore kundër koronavirusit të ri, kompania bioteknike amerikane, Moderna, financuar nga Uashingtoni njoftoi rezultatet paraprake por shumë inkurajuese për vaksinën e saj eksperimentale tek tetë vullnetarë, para provës në shkallë të gjerë parashikuar në korrik.
Kompania e re, në të cilën qeveria amerikane ka investuar 483 milion dollarë, njoftoi të dhëna pozitive nga faza fillestare e provave klinike.
Në tetë persona, vaksina eksperimentale e quajtur mRNA-1273 ka dhënë një përgjigje imunitare të ngjashme me atë që shihet tek njerëzit që janë infektuar natyrshëm nga virusi që shkakton COVID-19.
Presidenti Donald Trump, i cili kërkon 300 milion doza deri në janar për të vaksinuar popullatën amerikane, ka shprehur entuziazmin e tij.
“Unë kam parë rezultatet, ato janë mahnitëse. Unë jam shumë i lumtur dhe tregjet janë në rritje”, theksoi ai.
Kjo fazë e parë parashikon gjithashtu të verifikojë që vaksina nuk është toksike, dhe Moderna raportoi vetëm disa efekte anësore të tilla si skuqje në vendin e injektimit.
“Moderna filloi provat tek njerëzit më 16 mars, mes më të parëve në botë. Deri sot janë kryer vetëm 12 prova klinika, gjysma e tyre në Kinë”, sipas “London School of Hygiene & Tropical Medicine”.
Duke dashur të jetë në përparësi, SHBA-ja ka investuar më herët në projektin e Moderna-s, si dhe në ato, më pak të avancuara, të grupit amerikan “Johnson & Johnson” dhe laboratorit francez “Sanofi”, i cili ka vende prodhimi në SHBA.
Është shumë herët për të parashikuar të ardhmen e kësaj vaksine, bazuar në një teknologji të quajtur ARN mesazh që ende nuk e ka vërtetuar efikasitetin e saj.
Teknologjia synon t’i japë trupit informacionin gjenetik të nevojshëm për të aktivizuar mbrojtjen në mënyrë parandaluese kundër koronavirusit.