Ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump do të përballet me akuzat penale për pagesat që i janë bërë një ylli pornografik për heshtjen e saj pak para zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016.
Kanë qenë të shumtë anëtarët e gjykatës të cilët kanë votuar për ta paditur atë pasi kanë hetuar një pagesë prej 130,000 Dollarësh për yllin pornografik, Stormy Daniels në një përpjekje për të blerë heshtjen e saj për një aferë të dyshuar.
Nga ana tjetër, Trump ka mohuar kategorikisht një gjë të tillë. Ai është i pari ish-president amerikan që përballet me një akuzë penale.
Ish-presidenti Trump pritet të dalë në gjykatë të martën e ardhshme. Aktakuza do t’i komunikohet në seancë që pritet të zgjasë 10-15 minuta.
Juria e madhe në Manhatan votoi duke i hapur kështu dritën jeshile për ngritjen e padisë ndaj Trump i cili akuzohet për pagesat e bëra gjatë fushatës presidenciale të vitit 2016 për të blerë heshtjen e dy grave lidhur me pretendimet për marrëdhënie jashtëmartesore.
Hetimi i prokurorit u përqendrua tek paratë e paguara aktores së filmave pornografikë Stormy Daniels dhe ish-modeles së revistës “Playboy” Karen McDougal, për të cilat ai druhej se do t’i shprehnin publikisht pretendimet se kishin patur marrëdhënie intime me të.
Ngritja e padisë ka të ngjarë të nxisë kritikët që thonë se Trump bëri manipulime deri në marrjen e Shtëpisë e Bardhë, por nga ana tjetër, kjo do të angazhojë mbështetësit e tij, të cilët thonë se republikani po vihet padrejtësisht në shënjestër nga një prokuror demokrat.