Presidenti i SHBA-së, Donald Trump kërcënoi Indinë nëse kjo e fundit ndalon plotësisht eksportin e hidroksilklorinës. Ky ilaç përdoret kundër malarjes në Indi, por Trump e konsideron “dhuratë nga Zoti” në luftën kundër koronavirusit.
Megjithatë, me shtimin e rasteve të infektimit në Indi, qeveria ka vendosur të mos shesë ilaçin për vendet e tjera, por kjo nuk u prit aspak mirë për Shtëpinë e Bardhë.
“Unë fola me të (Kryeministrin indian Narendra Modi) të dielën në mëngjes, i thashë se do e vlerësonim nëse do të lejonin eksportin për furnizimin tonë me hidroksilklorinë. Por nëse ai nuk e lejon, dakord, por sigurisht që mund të ketë hakmarrje. Pse jo”, u shpreh Trump në konferencë shtypi.
Nju Delhi pritet që të marrë një vendim lehtësues ndaj ilaçit dhe eksportit drejt SHBA-së. 4,260 është numri i personave të infektuar me koronavirus në Indi, ndërsa viktimat janë 136. Ndërkohë shifrat janë ndryshe në SHBA, me 10,989 viktima dhe 368,376 persona të infektuar.