Bota Trump: Koha që vendet e Lindjes së Mesme të përfshihen në NATO

Trump: Koha që vendet e Lindjes së Mesme të përfshihen në NATO

Trump më herët ka propozuar një prani më të madhe të NATO-s në Lindjen e Mesme, pas sulmeve nga Irani mbi bazat ushtarake amerikane në Irak, në shenjë hakmarrjeje për vrasjen e gjeneralit iranian Qassem Soleimani

Presidenti amerikan Donald Trump ka dalë së fundi me tezën e zgjerimit të NATO-s në Lindjen e Mesme, pasi Shtetet e Bashkuara kërkojnë një mënyrë për të zvogëluar praninë e trupave të vendosur në të gjithë botën.

“Unë mendoj se NATO duhet të zgjerohet për të përfshirë absolutisht dhe Lindjen e Mesme”, u tha ai gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë.

Propozimi

Presidenti propozoi të mërkurën rritjen e përfshirjes së NATO-s në Lindjen e Mesme, kur foli mbi sulmet iraniane kundër trupave amerikane në Irak, të kryera si hakmarrje për një sulm amerikan me dron që la të vrarë gjeneralin iranian Kasem Soleimani, i cili luajti rol në luftën kundër militantëve të Shtetit Islamik në rajon.

Presidenti Trump tha se Shteti Islamik paraqiti një problem ndërkombëtar që vendet e tjera duhet të ndihmojnë për ta zgjidhur.

“Ne mund të kthehemi në shtëpi, të kthehemi përgjithësisht në shtëpi dhe të përdorim NATO-n”, tha Presidenti Trump. “Ne e kapëm ISIS-in, i bëmë Evropës një nder të madh.”

Presidenti Trump ka qenë një kritik i NATO-s, duke kërkuar që Evropa të paguajë më shumë për mbrojtjen e saj kolektive dhe të bëjë lëshime ndaj interesave të SHBA për tregtinë.

NATO plus Lindja e Mesme

Presidenti tha me shaka se organizata mund të quhet NATO-ME, ose NATO plus Lindja e Mesme. Ai tha se ia hodhi si mundësi këtë emër Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg në një telefonatë të mërkurën.

Shtëpia e Bardhë tha se gjatë telefonatës, Presidenti Trump “theksoi vlerën e NATO-s duke rritur rolin e saj në parandalimin e konfliktit dhe ruajtjen e paqes në Lindjen e Mesme”.

Ambasadorja amerikane në NATO, Kay Bailey Hutchison, tha të enjten se lufta kundër Shtetit Islamik është e rëndësishme për Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj në NATO.

“Unë mendoj se ajo që presidenti po kërkon është që aleatët tanë të punojnë më shumë me ne në Irak”, i tha ajo rrjetit CNBC. “Dhe kjo është diçka që Këshilli ynë i NATO-s do të duhet të diskutojë dhe të vendosë që ne të bëjmë më shumë.”